Kryesia e PD miratoi vendimet që kanë lidhje me proceset e brendshme zgjedhore në forcën më të madhe opozitare
Në selinë e PD-së është mbledhur Kryesia e kësaj partie, e cila miratoi disa vendime që kanë të bëjnë me mënyrën e organizimit të brendshëm të forcës më të madhe opozitare. Demokratët në pranverën e 2026 do të votojnë për kreun e ri të PD-së, në një garë që mund të konsiderohet formale, përsa kohë që Sali Berisha do të synojë një tjetër mandat si Kryetar. Nuk dihet nëse formalisht në garën për Kreun e PD-së do të ketë alternativa, por ajo që dihet është se asnjë nga figurat kryesore të kësaj force politike, nuk do të sfidojë Berishën për pozicionin e kryetarit.
Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që zgjedhja e kryetarit të kësaj partie të mbahet më 23 maj. Në këtë datë do të jenë anëtarët, që sipas parimit “një anëtar, një votë”, do të votojnë në qendrat e votimit që do të ngrihen në degët e kësaj partie. Deri në 23 maj do të ketë një rifreskim të listave të anëtarëve, sikundër do të përcaktohen edhe modalitetet se si do të kryhet votimi. Referuar zgjedhjeve të 4 viteve më parë, anëtarët u thirrën në formën e një referendumi, duke u shprehur nëse janë ose jo dakord me vendimin e Këshillit të jashtëzakonshëm Kombëtar, që u mblodh në atë kohë, dhe që miratoi rikthimin e Sali Berishës në krye të PD, duke zëvendësuar Lulzim Bashën.

Ndërkohë që Kuvendi Kombëtar, ku pritet të miratohen anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, por edhe ndryshimet në statut, do të mbahet në 6 nëntor.
Gjithashtu, Kryesia e PD vendosi që procesi i zgjedhjes së drejtuesve të degëve të kësaj force politike të përfundojë brenda 30 prillit.
Kryetarët e degëve janë zgjedhur duke u bazuar në parimet e primareve. Kreu demokrat, Sali Berisha, deklaroi se ky proces dëshmoi dhe njëherë se ne nuk duhet në asnjë rrethanë të heqim dorë nga primaret. "Nuk mund të zëvendësojmë ne me asgjë vullnetin, të drejtën për vendimmarrje të anëtarëve tanë. Janë zgjedhur, janë ndarë me mirëkuptim dhe sa më shumë konsolidohet kjo traditë, aq më e fuqishme bëhet PD. Tani, siç e kemi detyrim që të kemi veprimtari shumëplanëshe njëkohësisht, duhet të vazhdojmë me finalizimin e zgjedhjeve në të gjitha degët e tjera. Zgjedhjet e kryesive të PD në përpjekje të madhe për hapjen e kësaj partie për zgjedhje në drejtimin e saj të demokratëve me më shumë reputacion", tha Berisha.
Kryesia e PD-së gjithashtu miratoi edhe përbërjen e grupit të punës për ndryshimet në statut, ku në të përfshihen edhe Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, i cili do të kryesojë këtë grup.
Grupi i rishikimit të statutit
1. Gazment Bardhi – Kryetar
2. Oerd Bylykbashi – Anëtar
3. Ivi Kaso – Anëtar
4. Gent Strazimiri – Anëtar
5. Enno Bozdo – Anëtar
6. Elda Hoti – Anëtar
7. Keltis Kruja – Anëtar
8. Adriana Kalaja – Anëtar
9. Marash Logu – Anëtar
10. Franc Nuri – Anëtar
Lini një Përgjigje