TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Mars 2026, 13:57

Ndryshimet e statutit të PD, Salianji: Opozita mos të sillet si Rama

Shkruar nga Pamfleti
Ndryshimet e statutit të PD, Salianji: Opozita mos të sillet si Rama
Salianji-Berisha

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me zhvillimet brenda PD dhe ndryshimet e paralajmëruara në statutin e partisë gjatë mbledhjes së Kryesisë.

Përmes një reagimi në rrjetin social “X”, Salianji thekson se opozita nuk duhet të ndjekë të njëjtin model që kritikon te qeveria, pasi sipas tij një qasje e tillë rrezikon të dëmtojë besimin e qytetarëve tek alternativa politike.

Ai shprehet se ndryshimet e njëanshme në rregullat dhe në statutin e partisë përbëjnë uzurpim dhe cenojnë besimin e demokratëve. Sipas Salianjit, Neni 46 i statutit është i qartë dhe nuk mund të anashkalohet për interesa të momentit.

Në reagimin e tij, Salianji argumenton se nuk ka shërbim më të madh për kryeministrin Edi Rama sesa të veprohet me të njëjtën logjikë që ai akuzohet se ndjek. Ai thekson se Rama është nën presion ndërkombëtar për shmangie të ligjit dhe përpjekje për të ndryshuar rregullat, ndërsa shton se opozita nuk duhet të bjerë në të njëjtën kurth përmes ndryshimit të rregullave apo sulmeve ndaj ndërkombëtarëve.

“Nuk ka shërbim më të madh për Edi Ramën sesa të sillesh dhe të veprosh njësoj si ai. Rama është nën presion ndërkombëtar për shmangien e ligjit, për shkeljen e barazisë para ligjit dhe për përpjekjen për të ndryshuar rregullat për pezullimin e ministrave Kryeministrit. Opozita nuk mund të bjerë në të njëjtën kurth me ndryshim rregullash dhe sulm ndaj ndërkombëtarëve! Partia Demokratike nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme në Kushtetutën e partisë dhe në Statut. Neni 46 është i qartë dhe i sanksionuar.

Çdo veprim që imiton modelin e Ramës nuk është zgjidhje, por uzurpim. Dhe çdo uzurpim i tillë i bën autorët e tij përgjegjës përpara opozitarëve dhe përpara shoqërisë. Sot po shohim të njëjtën logjikë që kemi denoncuar tek qeveria: uzurpim të rregullave, shkatërrim të degëve  përjashtim të demokratëve, sikur Partia Demokratike të ishte pronë private e disa individëve dhe jo një parti e ndërtuar mbi vullnetin e demokratëve. Nëse opozita fillon të sillet si pushteti që denoncon, atëherë dëmton jo vetëm veten, por edhe besimin e qytetarëve tek alternativa. Sepse në fund lind pyetja që askush nuk do ta dëgjojë, por që shumë qytetarë tashmë e bëjnë: mos vallë loja është e njëjtë dhe palët janë më afër se sa duken?”, shkruan Salianji.

salianji ndryshimet e statutit të pd rama opozita

Lini një Përgjigje