Nga kontrolli vertikal i degëve te skenari për lokalet: Frika nga Salianji dhe grupi i ri që po mbështetet nga ndërkombëtarët...
Lajmi i vetëm i kryesisë së Partisë Demokratike ishte se kjo parti do të ndryshojë rregullat e lojës së brendshme dhe për këtë ngriti një grup me të gjithë kupolën e lartë.
Kjo do të thotë se drafti pritet të katapultohet nga lart, për të ndaluar çdo artificë në statut ku të vihet në dyshim lidershipi i Sali Berishës.
Ndërkaq, nga ana tjetër, edhe pse nuk ka nisur ende puna për statutin e ri, bocetat thuajse janë gati, ngase duket se do të blindohet mënyra e kandidimit dhe e zgjedhjes së kryetarit të ri.
Kjo, në mënyrë që Sali Berishës në maj të mos i vendosen ‘shkopinj nën rrota’ për rizgjedhjen e tij. Rizgjedhje e cila, me kontrollin që ai ka në strukturat e selisë blu, nuk mund të kërcënohet, por gjithçka mund të shkojë në një drejtim të rrezikshëm, nëse në garë hyn një kandidaturë që arrin të trazojë ujërat.
Ervin Salianji tashmë është aktori më i rëndësishëm në lojë, i cili ka ambicjen për të shtyrë përpara një betejë për lidershipin e Partisë Demokratike.
Deri tani, sfida e Salianjit ka dhënë shenja jo të vogla në krahasim me kreun e vjetër të Partisë Demokratike.
Në të gjitha takimet që Salianji ka zhvilluar në disa qytete të vendit kanë marrë pjesë më shumë njerëz sesa te Sali Berisha, si dhe një grup personazhesh më cilësorë dhe më aktivë, sesa një atavizëm gati folklorik i foltoreve të doktorit.
Njerëzit që mblidhen për Ervin Salianjin, pavarësisht akuzave të njerëzve të Berishës, vijnë nga strukturat aktuale të Partisë Demokratike në bazë. Madje, ish-deputeti ka një kontroll vertikal në disa prej zonave ku këto struktura janë më aktive dhe më të organizuara.
Qarku i Tiranës, ku qyteti i Kavajës përbën pjesën më të rëndësishme, Elbasani, Korça, Shkodra, Vlora duket se kontrollohen nga Salianji. Pikërisht për këtë, Sali Berisha po monitoron degët nëpërmjet njerëzve të tij të besuar, siç ishte ai i Aurel Bylykbashit në degën e Vlorës, ndërkohë që të gjitha degët e tjera drejtohen nga politikanë që nuk kanë lidhje me territorin.
Ky imitim i Edi Ramës për emërimin e "sekretarëve të parë" nuk i shkon një partie opozitare, e cila strukturat, organizimin, por edhe nxitjen e marrjes së njerëzve të rinj e merr në bazë.
Ndërkaq, të gjithë drejtuesit politikë të PD-së në qarqe, duke nisur nga Bardhi në Fier apo Boçi në Shkodër, për të ardhur te Alizoti në Elbasan, janë të padëshiruar edhe nga grupi lojal i PD-së së Berishës në qarqe. Kjo madje shprehet herë pas here edhe në qëndrime mediatike, por edhe në foltoret e Sali Berishës.
Ku thuajse në të gjitha, militantë të hershëm të tij, megjithëse nuk lodhen së hedhuri lëvdata për liderin e tyre, nuk i kursejnë kritikat e mllefet për të gjithë lidershipin poshtë doktorit.
Me zgjedhjet e zhvilluara në degët e PD-së, Sali Berisha ka sanksionuar hyrjen e çdo elementi salianjianist brenda, duke zgjedhur emra të katapultuar nga njohjet thuajse personale të njerëzve pranë kreut të PD-së, madje edhe familjarë të afërt të tij.
Me këtë operacion, Sali Berisha synon që në zgjedhjet lokale të ardhshme të ndalojë prodhimin e kandidatëve për kryebashkiakë nga strukturat lokale të PD-së.
Ndërkaq, Doktori është në dijeni të një skenari që po përgatitet brenda opozitës për të formuar një grupim politiko-qytetar që të garojë me kandidatë të rinj për kryetarë bashkie, pranë kandidatëve të PS-së.
Një garë që mund ta kthejë partinë e Sali Berishës automatikisht në forcën e tretë, siç e tregojnë sondazhet. Ku pjesa më e madhe e elektoratit që është kundër kësaj mazhorance nuk pranon të votojë PD-në e Sali Berishës.
Pikërisht për këtë, kreu i selisë blu synon të kalojë me sukses fazën e parë, pra ta pastrojë partinë nga çdo element që mund t'i duket subversiv, dhe betejën e ardhshme, atë të zgjedhjeve lokale, ta zhvillojë duke përçarë, sulmuar, akuzuar apo edhe shantazhuar kandidatët e grupimit të ri që pritet të dalë së shpejti, e që ka mbështetje të fortë nga ndërkombëtarët.
Këtë fazë, siç ka ndodhur që prej vitit 2021, Sali Berisha pritet ta kalojë duke negociuar dhe bërë pakte me Edi Ramën rast pas rasti. Siç ndodhi me vulën, ndryshimet në Kod, apo edhe amnistinë "test" të vitit të shkuar, ku u liruan edhe zyrtarë të hetuar nga SPAK-u./Pamfleti
Ja ke fut kot o pamflet se Salianji po të kishte më shumë mbështetës pse nuk thërret protesta, nuk bëhet fjalë për mbështetje demokratësh të Salinjit,por mbështetës të dërguar nga PS-ja e Ramavuçiçit.
Si MBRETERIT o Sali, rrypi, edhe hije te bejne o CAR.
Po zgjedhja e kryetarit a do behet me pare se mbledhja e kuvendit? Saljani nese ka njerez te therrase proteste kombetare dhe iken vete Sala. Politika eshte vote jo moshe!