TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi13 Korrik 2026, 20:07

FMN paralajmëron Evropën: Borxhi publik rrezikon të dalë jashtë kontrollit

Shkruar nga Pamfleti
FMN paralajmëron Evropën: Borxhi publik rrezikon të dalë
FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar se dinamika e borxhit publik në Evropë rrezikon të dalë jashtë kontrollit nëse qeveritë nuk ndërmarrin menjëherë masa të rëndësishme për stabilizimin e financave publike.

Në një studim të publikuar të hënën, ekonomistët e FMN-së theksojnë se qasja e deritanishme e shumë vendeve evropiane nuk është më e mjaftueshme përballë presioneve gjithnjë e më të mëdha fiskale.

Sipas raportit, plakja e popullsisë, tranzicioni energjetik, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe ritmet e ulëta të rritjes ekonomike po ushtrojnë presion të fortë mbi buxhetet e vendeve evropiane.

Studimi, i nënshkruar nga ekonomistët Luc Eyraud, Mahika Gandhi, Andrew Hodge, Giacomo Magistretti, Ian Stewart, Mengxue Wang dhe Jiae Yu, paralajmëron se, nëse këto sfida nuk adresohen në kohë, borxhi publik i shumë vendeve mund të ndjekë një trajektore "shpërthyese".

"Nëse presionet afatgjata mbi shpenzimet mbeten pa u trajtuar, dinamika e borxhit mund të hyjë në një trajektore shpërthyese në shumë vende evropiane. Ndërhyrjet e vogla nuk mjaftojnë përballë madhësisë së rregullimeve të nevojshme dhe mund të çojnë madje edhe në lodhje nga reformat", thuhet në studimin e FMN-së.

FMN u bën thirrje qeverive evropiane të ndërmarrin reforma të thella fiskale për të garantuar qëndrueshmërinë e financave publike dhe për të shmangur rritjen e pakontrolluar të borxhit në vitet e ardhshme.

fmn evropa

Lini një Përgjigje