TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Korrik 2023, 12:15

Zgjedhjet në Rrogozhinë/ Pjesëmarrje më e lartë se në 14 maj, kandidati i opozitës akuza PS: Njerëzit po kërcënohen në çdo qendër votimi

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet në Rrogozhinë/ Pjesëmarrje më e lartë se
Votimi në Rrogozhinë

Qytetarët e Rrogozhinës i janë drejtuar sërish këtë të diel kutive të votimit për të rizgjedhur kryetarin e Bashkisë.

33 mijë qytetarë do t’u drejtohen qendrave të votimit nga ora 07:00 deri në 19:00 të mbrëmjes.

Deri tani pjesëmarrja e raportuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është 24%.

Deri tani është shënuar vetëm një incident që ka të bëjë me fotografimin e votës nga një qytetar, ku është mbajtur një proces verbal. Vetëm pak momente më parë, si pasojë e temperaturave të larta, një operatori i ka rënë gjendje të fikti dhe është dërguar në spital.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u tërhoqi vëmendjen e përfaqësuesve politikë dhe kandidatëve që të respektojnë heshtjen zgjedhore dhe solemnitetin e ditës së votimit.

“Sot është dita e qytetarëve që kanë të drejtën e zgjedhjes dhe deklaratat politike cënojnë standardet e procesit zgjedhor dhe janë në shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor.”

Gjithashtu, KQZ tërheq vëmendjen e Komisioneve të Qendrave të Votimit që të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe të mos lejojnë persona të paautorizuar në Qendrat e Votimit.

Në QV dhe rreth tyre lejohen vetëm zgjedhësit, vëzhguesit e akredituar dhe stafi teknik i KQZ.

Ndërsa për mediat kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha ka bërë të ditur për mediat se ka grupe që po intimidojnë dhe kërcënojnë njerëzit.

Ai shtoi se garën nuk e ka me Memollën por me kreun e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

 “Ka grupe që kërcënojnë njerëzit, intimidojnë njerëzit, ka në çdo qendër votimi. Me Edisonin i kemi mbyll hesapet, kundërshtar kemi Erionin. Garën e kemi me Erion Veliajn, edhe atë do ta mposhtim. Rrogozhina e ka ndarë mendjen, e ka bërë zgjedhjen. Njësoj si Kavaja do të jetë edhe Rrogozhina”- u shpreh ai për mediat.

Pse u përsëritën zgjedhjet në Rrogozhinë?

Vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve u mor pas padisë së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, që kontestonte rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe vendimin e KAS për njohjen e tyre.

Koalicioni opozitar dhe kandidati Shkëlqim Hoxha, kontestuan një kuti votimi në Burgun e Rrogozhinës, e cila përmbysi rezultatin në favor të kandidatit të PS-së Edison Memolla. Në kutinë e burgut, e cila u numërua e fundit, nga 92 vota, 80 ishin në favor të Memollës. Në zgjedhjet e 14 majit, në Rrogozhinë morën pjesë në votime rreth 11 mijë votues.

Edison Memolla i Partisë Socialiste fitoi në zgjedhjet lokale të 14 majit me 5129 vota përkundrejt  5108 vota të Shkëlqim Hoxhës të ‘Bashkë Fitojmë’, me vetëm 21 vota diferencë.

 

zgjedhjet në rrogozhinë pjesëmarrje më e lartë se në 14 maj

Lini një Përgjigje