
Në 11 maj mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku Edi Rama do të synojë mandatin e 4 rradhazi si Kryeministër, ndërsa Sali Berisha kërkon rikthimin e 3 në pushtet në 35 vitet e tranzicionit shqiptar.
Ndërsa partitë kanë mbyllur mbrëmjen e së premtes fushatën, ashtu sikundër parashikohet në Kodin Zgjedhor, sot vëmendja është në shpërndarjen e materialeve zgjedhore nga KQZ në KZAZ-të dhe më pas shpërndarjen e tyre drejt qendrave të votimit.
Shpërndarja po vijon drejt qendrave të tjera të votimit në territorin e bashkisë, fillimisht me të largëtat, fshatrat e thellë malorë, me qëllim që të gjitha të jenë të pajisura në kohë me materialet përkatëse si; fletët e votimit, kutitë, regjistrat dhe pajisjet për identifikimin biometrik, kamerat etj.
Ditën e sotme raportohet deri tani se po vijon procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore nga KZAZ-të drejt qendrave të votimit.
Në Pogradec informohet se KZAZ nr. 70 po shpërndan bazën materiale, teksa konfirmohet se sipas vendimit të Gjykatës, do të votojnë edhe gratë e Burgut të Pojskës.
Edhe në Kukës ka nisur shpërndarja e materialeve nga KZAZ drejt fshatrave më të thellë malorë fillimisht, që të mbërrijnë në kohë.
Po kështu në Vlorë e Fier po vijon shpërndarja e materialeve zgjedhore, njëjtë si edhe në qarqet e tjera.
Gjithashtu në Lezhë procesi po vijon normalisht dhe gjithashtu në qarqet e tjera, ku deri tani nuk raportohet ndonjë problematikë apo incident dhe pengesë.
Lini një Përgjigje