
Në listat e kandidatëve të PS për zgjedhjet e 11 majit do të ketë edhe kandidatura nga Diaspora. Kjo pohohet nga deputeti socialist Xhemal Qefalia, i cili e konsideron si mjaft të rëndësishme votën e diasporës.
Në studion e Report TV, Qefalia tha se kjo është hera e parë dhe duhet parë se si do shkojë vota e Diasporës.
“Ne kemi krijuar akses dhe mundësi për emigrantët, si për pasaportat, ashtu edhe për kartat e identitetit. Të bëhen pjesë aktive në votime më 11 Maj, që të bëhen pjesë edhe e ndryshimeve dhe mundësive që do kenë. Në listat e partisë për deputetë do ketë edhe nga diaspora. Kjo votë do jetë edhe për Diasporën, për të ardhmën, për ta çuar Shqipërinë drejt BE-së”, tha ai.
Kurse për përplasjet e fundit me opozitën për çështjen e dokumenteve të votimit, deputeti tha se janë plotësuar të gjitha kërkesat e PD me përjashtim të asaj që nuk lejon ligji, votimi me dokument të huaj.
“PS ka marrë në konsideratë propozimet e PD-së për këtë çështje, përveç pikës që nuk të lejon as ligji, që të votohet me dokument të huaj, sepse ndryshe i bie të votojë edhe në Gjermani dhe në Shqipëri. Kemi marrë parasysh për çështjen e postës dhe pagesën, po ashtu edhe monitorimi i votimit dhe numërimit, ku të ketë përfaqësues politikë”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje