TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Mars 2025, 19:23

Zgjedhjet e 11 majit, Berisha lë fushën e lirë; kush janë ata që do drejtojnë fushatën e demokratëve?

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet e 11 majit, Berisha lë fushën e lirë; kush janë

Kjo ‘bërthamë’ do të koordinojë takimet, ndërsa drejtuesit e qarqeve do të raportojnë për problematikat që do të hasen gjatë fushatës pikërisht tek shtabi qendror, i cili më pas koordinohet me pjesën tjetër

Në 11 maj Shqipëria mban zgjedhjet e përgjithshme parlamentare ku për herë të parë do të votojnë me postë edhe shqiptarët e diasporës.

Edi Rama synon mandatin e 4-t rradhazi si Kryeministër, në një tentativë për të vendosur një rekord në 34 vitet e pluralizimit shqiptar kur një forcë politike mban pushtetin për 16 vite me rradhë. Në anën tjetër, Sali Berisha si drejtues i Aleancës ‘Shqipëria Madhështore’ synon rikthimin e 3-të, që nëse realizohet është sërish një rekord në politikën shqiptare.

E ndërsa motorët e fushatës janë ndezur si nga Rama ashtu edhe nga Berisha, por edhe partitë apo koalicionet e tjera që garojnë në 11 maj, duket se kreu demokrat ka lënë fushën e lirë, duke e bazuar organizimin e fushatën te drejtuesit e qarqeve dhe te një grup që do të jenë në rolin e koordinatorëve.

Kështu Berisha parashikohet të jetë i pranishëm vetëm në 12 takime që përkojnë me 12 mitingjet që do të mbahen në qendrat e qarqeve dhe ku do të prezantohen kandidatët për deputet, ndërsa vëmendja e tij do të jetë në takime në nivel ndërkombëtar dhe me shqiptarët në diasporë. Nuk dihet nëse kjo është një zgjedhje e kreut demokrat apo një këshillë që i është dhënë nga strategët e fushatës.

Po cilët do të drejtojnë fushatën e demokratëve?

Referuar burimeve krahas drejtuesve politikë të qarqeve që do të jenë përgjegjës për fushatën në territorin shtrihet qarku, në selinë e PD-së është ngritur edhe shtabi elektoral që do të koordinojë të gjithë punën.

Në këtë shtab bëjnë pjesë Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, Albana Vokshi dhe Besart Xhaferri si drejtues të organizatave të gruas dhe rinisë (LDG dhe FRPD), Edi Paloka si Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së.

Gjithashtu në ndihmë apo mbështetje të tyre do të jenë edhe aleatët, që janë në listat e sigurta të koalicionit, duke nisur me Fatmir Mediun, kreun e PR-së, për të vijuar me Tedi Blushin dhe Erisa Xhixhon nga PL, apo edhe Shpëtim Idrizin e PDIU-së, edhe pse ky i fundit duket se do të jetë i angazhuar në Tiranë, për shkak të përfshirjes në listën e hapur si kandidat, që do të thotë se do t’i duhet vota personale për të shpresuar që në parlamentin e ri do të ketë një vend.

Në dallim nga qarqet e tjera, Tirana e cila ka plot 37 mandate deputetësh, ka një tjetër organizim. Përveç drejtuesit politik që është Belind Këlliçi, në secilën nga degët e PD-së, janë të deleguar përgjegjësit, apo drejtuesit politikë të zonave të vogla.

Kështu në Tiranë janë të angazhuar jo vetëm kandidatët e listës së hapur por edhe disa nga emrat e listës së mbyllur, përfshirë edhe ata që përbëjnë ‘bërthamën’ qendrore.

Burime nga opozita bëjnë të ditur se kjo ‘bërthamë’ do të koordinojë takimet, ndërsa drejtuesit e qarqeve do të raportojnë për problematikat që do të hasen gjatë fushatës pikërisht tek shtabi qendror, i cili më pas koordinohet me pjesën tjetër, përfshirë edhe grupin që do të ndihmojë opozitën në fushatë që udhëhiqet nga Chris LaCivita.

Këta të fundit përtej këshillave që do të japin për tezat që duhen artikuluar apo në raport me publikun, pritet të kenë një rol madhor në atë që konsiderohet si ndërgjegjësimi ‘amerikan’ përsa i takon shkeljeve që mund të evidentohen apo deformimit të votës. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje