Kuvendi i Shqipërisë ka kthyer një përgjigje zyrtare përfaqësuesve të Partisë Demokratike, të cilët kërkuan thirrjen e mbledhjes së dytë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e arrestimit të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Në shkresën e firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksohet se nuk janë përmbushur kushtet procedurale për mbledhjen e radhës. Sipas Kuvendit, palës së mbrojtjes, në këtë rast znj. Balluku, i duhet kohë e mjaftueshme për t’u njohur me aktet e paraqitura nga SPAK dhe për të përgatitur qëndrimin e saj përpara deputetëve.
Gjithashtu, në dokument theksohet se Kuvendi duhet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur të shqyrtojë ankimimin e paraqitur nga kryeministri Edi Rama për një përplasje kompetencash, e krijuar pas vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra.

Balluku u pezullua nga detyra më 20 nëntor nga Gjykata e Posaçme, pasi u mor e pandehur në lidhje me procedurat e tenderit të Tunelit të Llogarasë dhe hetimet për një sërë kontratash të tjera publike. Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullonte përkohësisht vendimin e GJKKO-së dhe Balluku u rikthye në detyrë, ndërsa në fuqi mbeti masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit.

Prokuroria e Posaçme, pas këtij zhvillimi, iu drejtua Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të saj. Mbledhja e parë e Këshillit të Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shumicës dhe opozitës, si dhe të përfaqësuesve të SPAK, përfshirë drejtuesin Klodian Braho dhe dy prokurorët e çështjes.
Në këtë fazë, procedura mbetet në pritje të vendimit të Kushtetueses dhe përfundimit të afateve për mbrojtjen. Vetëm pas këtyre hapave do të mund të mblidhet sërish Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë.
Lini një Përgjigje