TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Dhjetor 2025, 18:27

Opozita vijon "foltoren", demokratët mblidhen para Kryeministrisë (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Opozita vijon "foltoren", demokratët mblidhen para
Berisha mes protestuesve

Mbahet foltorja e gjashtë radhazi e opozitës...

Demokratët janë mbledhur edhe mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë, duke mbajtur tubimin e radhës në kuadër të foltoreve që kanë nisur para godinës qeveritare. Me qindra qytetarë kërkojnë largimin e kryeministrit dhe zv/kryeministres, teksa mes tyre është edhe kreu i PD Sali Berisha.

Ky skenar nisi pas asaj që PD e cilëson bllokadë në Kuvend. Opozita ka kërkuar komisione hetimore, interpelanca apo mocione me debat, por është refuzuar. Për këtë arsye, Parlamenti është zhvendosur te Kryeministria ku çdo të hënë flasin përfaqësues të partisë, por jo vetëm.

Kjo është foltorja e gjashtë radhazi e opozitës, ndërsa një javë më parë PD organizoi protestën e saj kombëtare të parë pas zgjedhjeve të 11 majit.

Protestën e hapi një qytetar nga Vlora, Mario Runa, i cili shprehu indinjatën e thellë për situatën në qytetin e tij, i cili sipas tij ka pesë ditë pa furnizim me ujë.

Ai e cilësoi këtë si pasojë të “paaftësisë së qeveritarëve”, duke theksuar se probleme të tilla janë në kontrast të plotë me diskursin e qeverisë për integrimin europian.

Unë jam Mario Runa nga qyteti i Vlorës. Sot është dita e pestë që Vlora është pa ujë, jo sepse nuk ka ujë, po për shkak të paaftësisë dhe babëzisë së qeveritarëve tanë, e cila është pa kufij. Na flasin për Europën dhe si do të shkojmë në Europë, ndërkohë që qyteti i Vlorës mbetet pa ujë dhe kjo nuk është hera e parë. Janë disa herë që qyteti ngelet pa furnizim me ujë. Unë nuk di asnjë vend të Europës ku një qytet të mbetet pa ujë. Të kesh ujë 24 orë, të kesh drita 24 orë dhe të kesh rrugë funksionale, janë detyrime të qeverisë, sepse në fund të ditës, këto shërbime realizohen me taksat tona”, tha ai.

Mjekja Ilirjana Agolli, në fjalën e saj nga foltorja e Partisë Demokratike, ngriti një akuzë të fortë ndaj korrupsionit në qeverisje dhe gjendjes së rëndë të sistemit shëndetësor në vend.

"Dhe çfarë tragjedie më të madhe mund të ketë se një sistem shëndetësor shumë i dobët për t'u kujdesur për njerëzit e saj. Spitale pa burime, klinika pa organizim, mjekë të diferencuar dhe pa mbështetje, pacientë pa shërbim, pa mundësi, pa ilaçe. Në kohë sëmundje, qytetarët duhet të gjejnë ngushëllim dhe shërim. Në vend të kësaj, ata gjejnë premtime boshe, radhë të gjata, përkeqësim dhe dëshpërim. Një qeveri e korruptuar dhe një sistem shëndetësor i prishur së bashku formojnë një aleancë që braktis të pambrojturit dhe heshtin zërat", tha ajo.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij ka bërë të ditur se, opozita nuk do të largohet nga sheshi pa shporrur binomin e korrupsionit ‘Rama-Balluku’.

Qëndroni dhe do qëndrojmë në këtë shesh, Sheshin e Lirisë, gjersa nga ajo ndërtesë të shporrim binomin që ka vjedhur dhe ka përçmuar më shumë shqiptarët në tërë historinë tonë kombëtare, Edi Ramën dhe Lubi Ballukun. Të dashur miq, një vajzë para meje, para jush, ftoi këtu që Edi Ramën të mos e quajmë më kryeministër. Unë u ftoj ju dhe shqiptarët që sot e tutje, Edi Ramën ta thërrasim me gjuhën, fjalorin, zhargonin e koordinatorit të tij, Gys Agasi, Kapoja.

Në të gjithë gjuhën, edhe kur rrihte me grushta Ulsi Manjën në zyrat e tij, i thoshte se më ka urdhëruar Kapoja. Pra, nuk janë më zyrtarë, por këta janë një bandë që nuk e ka parë ndonjëherë kjo tokë dhe e pashembullt jo vetëm në Shqipëri, por u garantoj dhe as në Europë dhe botë ndoshta”, tha ai.

Një nga temat kryesore që preku Berisha ishte kriza shumëditore e mungesës së ujit në qytetin e Vlorës, të cilën e cilësoi si një pasqyrë të qartë të shpërbërjes së shtetit. Ai përmendi drejtorin e ujësjellësit të Vlorës që disa muaj më parë “u mburrej gazetarëve se qytetarët nuk bëjnë as një telefonatë kur janë pa ujë”, ndërsa sot, tha Berisha, “ia zunë kafshatën në fyt dhe e përzunë”.

Sipas liderit të opozitës, qeveria nuk ka as ndjeshmëri njerëzore ndaj fatkeqësive publike, por i kthen ato në skena propagande, ndërkohë që qytetarët po vuajnë mungesën e shërbimeve bazike.

"Shqiptarët presin me padurim largimin e kësaj bande nga pushteti. Ju garantoj ju se opozita është sot më e fuqishme se kurrë. Është sot më e vendosur se kurrë të përmbushë misionin e saj. Askush nuk duhet të harrojë se forca e idealeve është arma më e madh se të gjitha armëve. Ata që janë me ideale janë të pamposhtur. Këtij regjimi në çdo kohë q kalon është në shkërmoqje, kalbëzim. Pesë ditë pa ujë, duke ndjekur atë ngjarje në videot e shumta që qarkullojnë, kur vetëm pak muaj më parë drejtori  ujësjellësit i thotë gazetarëve që këta rrinë tre ditë pa ujë dhe nuk bëjnë një telefon për shqetësimin. Drejtori tha një të vërtetë, qytetarët e Vlorës ia zunë në gojë kafshatën e galasë në fyt, i përzunë", tha Berisha. 

PD ka paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe vitin që vjen. Ndërkohë që janari do të jetë shumë i ngjeshur, pasi do të jepet vendimi Kushtetueses për zv/kryeministren Balluku, por po ashtu do të merret dhe vendimi nga Kuvendi për imunitetin e saj.

berisha foltore kryeministri

2 Komente

  1. p
    poshte komunizmi

    o flliqesira qe i beni reklame nje serbi ne shesh me 30 veta bodygard qe i paguan zeni i babit

    1. M
      Mandi

      Me plakun Mere qe e mbani per te pare nuk keni gje ne terezi. Paska qene perbindesh ky, vetem per interesa te veta duke marre ne qafe shume njerez qe i besuan ish komunistit.

      Lini një Përgjigje