Një moment historik, e konsideroi kreu demokrat Sali Berisha, momentin e tanishëm për të rrëzuar atë që e cilësoi si regjimi i Edi Ramës, pas skandaleve të njëpasnjëshme që kanë përfshirë qeverinë.
Berisha tha se demokratët dhe populli opozitar nuk do të mund t’ia falin PD-së, nëse nuk e rrëzojnë tani këtë regjim.
Në këtë kuadër, ai u shpreh se PD dhe aleatët e saj duhet të ridimensionohen për veprimtari shumëplanëshe.
“Nuk ka akuzë më të rëndë ndaj nesh në rast se ne nuk i rrëzojmë këta. Të jemi realistë për këtë. Gjithçka është hedhur, ne jemi para sfidës dhe çfarë kërkohet: sakrificë, sakrificë, sakrificë.
Kërkohet të zëmë bulevardin gjersa ky të qërohet dhe të shkojë para ligjit, para gjykatës për vjedhjet që ka bërë.
Pra, në një kontekst, PD ecën e sigurt drejt pushtetit. Por në këtë kuadër, departamenti Brain Gain duhet të gjejë brenda, dhe do të gjejë brenda strukturave tona, të gjithë hapësirat e domosdoshme.
Dhe ky nuk është thjesht interes i PD, jo, ky është interes i shoqërisë shqiptare.
Shoqëria shqiptare e ka të nevojshme, të domosdoshme të shohë të rinj, të reja që i përkushtohen, që dijet e tyre, aftësitë e tyre, i vendosin, i investojnë në projektin e madh transformues për të cilin Shqipëria ka nevojë jetike.
Pra, në këtë kontekst, ridimensonimi i rolit të departamentit, por edhe ridimensionimi i vetë departamentit të rolit të tij dhe të përfshirjes sa më të gjerë, është një shans i madh për PD-në, për opozitën.
Ne kemi vlerat midis nesh dhe këtyre hapësirën duhet t’ua japim dhe do ua japim. Unë kam bërë një bisedë informale me këta, këta kanë plot ide se ku mund të angazhohen, ku mund të japin më shumë.
Ne jemi në një kohë të pashembullt. Ndër të tjera kjo kohë kërkon, duke filluar nga unë dhe secili prej jush, të përshtatemi për veprimtari shumëplanëshe.
Koha është e pamëshirë. Nuk na pret koha. Ndaj dhe ne duhet të pranojmë të ndërmarrim njëkohësisht veprimtari të shumanshme.
Vetëm në këtë mënyrë ne do mund t’i përgjigjemi misionit historik të përmbysjes së diktaturës autokratike të Edi Ramës. Shansit historik për përmbysjen e saj.
Urdhëroni se ç’ndodh. Drejtësinë nuk e njeh, imunitetet nuk i heq”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje