TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Dhjetor 2025, 10:48

Dilema e socialistëve përballë Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Dilema e socialistëve përballë Edi Ramës
Edi Rama /

Zërat kritikë në PS rrezikojnë të mbeten instrument i stabilitetit të kryeministrit, nëse nuk kërkojnë ndryshim real pushteti dhe fundin e modelit klientelist...

Kohët e fundit, brenda Partisë Socialiste kanë nisur të dalin zëra kritikë edhe publikisht. Megjithëse në mënyrë të ndrojtur, këta zëra po shtojnë, thuajse në mënyrë konsistente, rrugën e një gjallimi që kërkon ndryshime politike brenda mazhorancës.

Këta zëra përfaqësohen më shumë nga një emër i njohur i historisë së PS-së, Petro Koçi, ndërkohë që ka edhe të tjerë, të cilët në mënyrat e tyre kanë dalë hapur në shtrimin e ideve për ndryshime.

Përveç Petro Koçit, një nga këta zëra është Thoma Gëllçi, ish-drejtori i RTSH-së, i cili publikon në mediat periodike opinione mjaft të ashpra ndaj qeverisë.

Një tjetër zë kritik është ish-kreu i FRESSH-it, disa herë ministër dhe së fundmi ish-kreu i AKEP-it, Ilir Zela. Ndërkohë që edhe Erion Braçe, deputeti më popullor i PS-së, herë pas here kritikon ashpër drejtues të ndryshëm të qeverisjes, kryesisht të Bashkisë së Tiranës.

Në të vërtetë, situata brenda Partisë Socialiste, apo edhe grupeve brenda saj, prej kohësh është problematike, si pasojë e pakënaqësisë dhe mungesës së motivacionit nga Edi Rama. Një pakënaqësi që herë pas here del në sipërfaqe edhe nëpër rrjetet sociale, ku këto inate kthehen në replika kolerike, siç ishte ajo ndërmjet Piro Lutajt dhe Erion Braçes.

E gjithë kjo pakënaqësi dhe ky frustrim nuk janë aspak artificialë dhe as sipërfaqësorë. Është një panoramë që nuk lindi sot dhe as nuk ndodhi për ndonjë arsye të veçantë.

Kemi të bëjmë me një gjendje reale, më shumë se kritike, të mjaft socialistëve që janë edhe të punësuar, por që nuk ndihen të vlerësuar dhe të motivuar. Ndërkohë që, ashtu si edhe pjesa tjetër e publikut, edhe ata revoltohen nga lidhja e pushtetit me krimin dhe nga korrupsioni i zyrtarëve të lartë.

Megjithatë, kjo mënyrë e shtrimit të kritikave, siç po ndodh këto kohë, duket mjaft anemike për të bërë efektin e duhur, qoftë për vetë të majtën, qoftë për shoqërinë.

Kritikat e tipit që ngre Petro Koçi apo të tjerë, se ndryshimet bëhen thjesht me lëvizje në kabinetin e Edi Ramës, janë vetëm gudulisje për veshët e kryeministrit.

Madje, ato e favorizojnë atë përballë kundërshtarëve dhe ndërkombëtarëve, për t’u treguar se në partinë e tij dhe në shoqëri ka një mjedis të shëndoshë demokratik, ku kritikohet lideri dhe nuk ka reagim negativ.

Fakti që ekziston kjo pakënaqësi i ka shkaqet te mënyra autokratike, e mbyllur dhe tërësisht jo kolegjiale e Edi Ramës, si në qeverisje, por edhe brenda PS-së.

Lëvizja e duhur për ta përfaqësuar këtë pakënaqësi dhe irritim të së majtëve është adresimi i qartë i fajtorit, si dhe kërkesa për një model të ri qeverisës dhe politikbërjeje.

Kërkesë e cila, si pikë të parë, duhet të kishte ndërprerjen e menjëhershme të drejtimit të qeverisë nga Edi Rama, si mundësia kryesore për qetësimin e situatës.

Duke krijuar kështu premisat e një mandati normal, drejt plotësimit të kërkesave që duhen për të mbyllur negociatat me BE-në. Edi Rama sot është kthyer në një faktor problematik dhe frenues; ndaj kritikët e tij në PS duhet të dalin nga iluzionet e ndryshimeve fasadë.

Sot, PS duhet të ndalojë importimin e figurave dhe zyrtarëve me “katapultë” nga Edi Rama, ashtu siç po bën gati edhe katapultimin e pasardhëses së tij në ditët e para të vitit 2026.

Një manovër e përgatitur me axhendë, program dhe itinerar politik djallëzor. Një axhendë që nuk përbën në thelb asnjë ndryshim real, por gjithçka është, siç ka ndodhur deri më sot, fasadë./Pamfleti

 

dilema e socialistëve përballë edi ramës

4 Komente

  1. p
    paco

    Edi Rama ka rene. Nuk e hidhte dot as Petro as Zela as Bracja. Keta i ka si fara luledielli ai ne dhemballe. Jane ata pertej oqeanit qe ja kane prere bileten.

    1. T
      Ton

      Ps duhet te zgjedhe nje kryeminister tjeter duhet ta bente me pare. Mbase eshte vone.

      1. M
        M

        Ps ose me mire Rama ka ardhur nr fundin e tij. Aroganca, vjedhjet dhe perkrahja e krimit, emerimi i njjerezve pa identitet do sillnin kete rezultat. Tani cdo gje eshte vetem sa shpejt do te bjere.

        1. C
          Cekani.

          Ujku nuk dorëzohet kollaj. Ka 83 deputetë frikacak dhe servila. Së bashku me votat e opozitës, për interesat e tyre kanë borxh t'i vënë flakën Shqipërisë.

          Lini një Përgjigje