Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, duke uruar kryeministrin Albin Kurti për fitoren dhe duke vlerësuar mbarëvajtjen e procesit si shembull të demokracisë së vërtetë. Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se këto zgjedhje janë një sukses për qytetarët e Kosovës dhe një sinjal frymëzues për qytetarët shqiptarë në Shqipëri.
“Zgjedhjet e 28 dhjetorit ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës. Garë e lirë, administrim korrekt dhe respektim i vullnetit të qytetarëve. Urime qytetarëve të Kosovës, institucioneve dhe gjithë spektrit politik për këtë arritje”, shkruan Berisha në postimin e tij.
Por përtej urimeve, lideri i opozitës në Shqipëri nuk kurseu akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si “armik të votës së lirë” dhe përgjegjës për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. “Shpresoj që ky proces të jetë frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku Ramaduro i Europës ka shndërruar zgjedhjet në farsë të shëmtuar elektorale”, shkruan Berisha me tone të ashpra.
Në përfundim, ai përgëzoi Albin Kurtin për fitoren, por gjithashtu vlerësoi edhe forcat e tjera politike për qëndrimet dinjitoze gjatë fushatës.
Postimi i Berishës:
Zgjedhjet Parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, një sukses frymëzues për Shqipërinë
Të dashur miq, dje Kosova zhvilloi zgjedhjet palamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10 mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.
Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoriteret e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.
Uroj fituesin e zgjedhjeve Z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve!
Lini një Përgjigje