Zbardhet projektligji dhe relacioni shoqërues për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, nesër votimi në Kuvend...
Kryeministri Edi Rama po nxiton me çdo kusht që Shqipëria të bëhet pjesë e “Bordit të Paqes”, nismës ndërkombëtare të propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump. Menjëherë pas miratimit të projektligjit sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, qeveria e ka dërguar draftin për shqyrtim në Kuvend, ku pritet të kalojë nesër në një seancë të posaçme, me procedurë të përshpejtuar.
Bëhet fjalë për një angazhim me rëndësi të madhe politike dhe diplomatike, pasi Shqipëria është ftuar të marrë pjesë si vend themelues në një strukturë të re ndërkombëtare, që sipas relacionit shoqërues të ligjit, synon të funksionojë si një “OKB e dytë” për paqen dhe sigurinë globale.
“Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave me vendimin nr.45 , datë 21.1.2026, ka miratuar, në parim, marrëveshjen. Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe”, thuhet në relacionin zyrtar.
Rama e justifikon pranimin e kësaj ftese, me argumentin se Shqipëria do të ketë status të barabartë me shtetet e tjera themeluese, duke ndikuar në formësimin e arkitekturës dhe politikave të këtij mekanizmi të ri ndërkombëtar.
“Pjesëmarrja e Republikës së Shqipërisë në Bordin e Paqes përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit. Ky angazhim është një njohje e drejtpërdrejtë ndërkombëtare për rolin konstruktiv, të besueshëm dhe të përgjegjshëm që Shqipëria ka ndërtuar ndër vite në fushën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit global. Statusi i anëtarit themelues i jep Shqipërisë një rol aktiv dhe të barabartë në formësimin e vizionit, parimeve dhe arkitekturës vendimmarrëse të këtij mekanizmi ndërkombëtar. Ky status rrit ndjeshëm profilin dhe vizibilitetin e vendit në skenën globale, duke e pozicionuar si faktor stabiliteti dhe aktor paqeje në një proces që synon t’i japë fund një konflikti shumëdekadash në Lindjen e Mesme”, thuhet në relacion.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka reaguar me kritika ndaj mënyrës së trajtimit të këtij procesi, duke e konsideruar një veprim të njëanshëm dhe në shkelje të rregullave parlamentare. Megjithatë, PD ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancën e nesërme dhe ka deklaruar votën “pro”, për të treguar mbështetjen ndaj partneritetit me SHBA.
“Pavarësisht shkeljes së rregullores dhe faktit që Rama po përdor këtë nismë për propagandë, ne do të jemi në Kuvend për të votuar PRO, si mbështetje ndaj përpjekjeve të Presidentit Trump për paqen dhe sigurinë globale”, thuhet në deklaratën e grupit parlamentar të PD-së. /Pamfleti




Muhabet vari teneqet.