Përplasja mes kompanisë “Mabco” të Behgjet Pacollit dhe administruesve të Aeroportit të Vlorës është tensionuar edhe më tej. Në ditën e katërt të protestës, Pacolli akuzoi Policinë e Shtetit për intimidim të punëtorëve dhe specialistëve të kompanisë së tij, ndërsa koncesionari e akuzon “Mabco”-n për vonesa dhe dëme financiare miliona euro.
Prej katër ditësh, punëtorët dhe nënkontraktorët e kompanisë “Mabco”, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, vijojnë protestën përpara kantierit të Aeroportit të Vlorës, pasi kompania koncesionare që tashmë administrohet nga Valon Ademi ka ndërprerë kontratën për punimet në terminal.
Në reagimin e tij më të fundit, Pacolli akuzon Policinë e Shtetit se është vënë në shërbim të interesave private dhe po ushtron presion ndaj specialistëve dhe punëtorëve të kompanisë, duke i dërguar një tjetër mesazh goditës kryeministrit.
“Prej katër ditësh me radhë, Policia e Shtetit, përmes dhunës verbale, fyerjeve, kërcënimeve dhe pengesave të pajustifikuara, po ndalon aksesin e mjeshtërve, inxhinierëve dhe profesionistëve shqiptarë e ndërkombëtarë në vendet e tyre të punës. Mes tyre ndodhen edhe mbi 50 specialistë nga Kina, të cilët aktualisht gjenden në konviktin e punëtorëve të Mabcos, brenda perimetrit të rrethuar me tela, me liri lëvizjeje të kufizuar, madje edhe për nevoja bazike si furnizimi me ushqim dhe medikamente”, deklaron Pacolli.
Biznesmeni kosovar thotë se situata ka krijuar klimë frike dhe presioni psikologjik për punonjësit e kompanisë, ndërsa akuzon autoritetet për abuzim me pushtetin shtetëror.
“Këta njerëz nuk kanë as mundësinë të kujdesen për sendet dhe pajisjet e tyre personale e profesionale, të cilat ndodhen në ndërtesën e Terminalit. Një trajtim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe i papranueshëm, por ngre dyshime serioze për abuzim me autoritetin shtetëror dhe për përdorimin e Policisë së Shtetit jashtë misionit të saj ligjor. Policia nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si instrument presioni ndaj punëtorëve, specialistëve dhe profesionistëve që kërkojnë thjesht të ushtrojnë detyrën e tyre”, thuhet më tej në reagim.
Nga ana tjetër, kompania “Vlora International Airport” deklaron se kontrata me “Mabco”-n është ndërprerë për shkak të mosrealizimit në kohë të punimeve në terminalin e aeroportit, duke pretenduar se vonesat kanë shkaktuar një dëm financiar prej mbi 4.6 milionë eurosh.
Nënkontraktorët e “Mabco”-s, të cilët ndodhen prej ditësh në protestë para aeroportit, kërkojnë rikthimin në punë dhe zgjidhjen e konfliktit mes palëve, ndërsa situata ka nisur të marrë edhe ngjyrime politike dhe institucionale për shkak të akuzave të forta ndaj Policisë së Shtetit.
Lini një Përgjigje