Sot janë dhënë sinjalet se po afron divorci. Berisha nisi një revoltë sot në Kuvend duke bllokuar punimet e seancës plenare. Vendimi u mor në një mbledhje të martën, por që mësohet se nuk është mbështetur nga Partia e Lirisë...
Konfirmohet krisja mes Ilir Metës dhe Sali Berishës. Që pas disfatës në zgjedhjet vendore raportet e tyre kanë pasur ulje dhe ngritje, por aleanca e fundit e Berishës me Gazment Bardhin ka bërë që Ilir Meta të mendojë distancimin.
Pak ditë më parë ishte vetë Meta që dha sinjalin se ai mund të bëjë aleancë vetëm me Berishën dhe deputetët pranë tij, por jo me Bardhin. Po ashtu vuri në dyshim dhe aleancën për zgjedhjet e 2025.
"Koalicioni bëri përpjekjet e tij më të mira për kohën dhe rrethanat anormale dhe të sforcuar në të cilat u krijua. Përsa i takon të ardhmes, Partia e lirisë është e hapur për bashkëpunim me PD të 11 dhjetorit, me çdo forcë tjetër politike. Vlerëson çdo ristrukturim të forcave të tjera që ndihmon për të rritur efikasitetin opozitar. Sa i takon koalicionit për të ardhmen, jemi ende në kohë për të marrë vendimet e duhura dhe është detyra jonë që në çdo rast të përgatitemi sikur do të hyjmë vetëm. Për ne themelore është çkapja e shtetit dhe rivendosja e demokracisë dhe kjo mund të ndodhë vetëm përmes fuqizimit të opozitës", tha ai 10 ditë më parë.
Por sot janë dhënë sinjalet se po afron divorci. Berisha nisi një revoltë sot në Kuvend duke bllokuar punimet e seancës plenare. Vendimi u mor në një mbledhje të martën, por që mësohet se nuk është mbështetur nga Partia e Lirisë.
Deputetët e PL sot nuk e kanë mbështetur këtë aksion, pasi në momentin që Berisha me Bardhin dhe ata që u shkojnë pas hynë në sallë dhe bllokuan vendet ku rrinë ministrat, 4 deputetët e PL nuk ishin fare aty. Po ashtu edhe aleatët e tjerë që kanë qenë prezentë në sallë, nuk janë bashkuar me grupin që krijonte kaos.
Vetë Meta në disa dalje kohët e fundit e ka theksuar se kërkon një linjë tjetër reagimi. Ai ka lënë të kuptohet se nuk i mbështet protestat dhe opozita duhet të luftojë në Kuvend me argumente dhe nisma. Mbetet të shihet se si do të përfundojë aleanca, por duket qartë se afrimi i Bardhit ka trazuar ujërat. /Pamfleti
Lini një Përgjigje