TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Mars 2025, 15:43

Vendosi babanë në listë të sigurt, Adriatik Lapaj reagon sërish: Listat e mbyllura do t'i hedhim në kosh!

Shkruar nga Pamfleti

Vendosi babanë në listë të sigurt, Adriatik Lapaj reagon

Adriatik Lapaj ka sqaruar sërish pse vendosi të atin Ferman Lapaj, në listë të sigurt në krye të qarkut të Beratit për koalicionin “Nisma-Shqipëria bëhet”.

Në një takim me qytetarët e Dibrës, Lapaj thekson se koncepti politik mbi të cilin funksionon ekipi i tij është ndryshe nga ai tradicional.

“Pse nuk dija unë të rrija i pari në Tiranë? Nuk dinte Eltoni, Pano të ishin të parët në ndonjë qark tjetër dhe të rrinim rehat? Jo! Ne kemi vendosur të gjithë bashkë që ekipi ynë qendror të garojë në listë të hapur. Listat e mbyllura do t'i hedhim në kosh të plehrave, duke vendosur aty prindërit tanë si garanci”, tha ai.

Sipas Lapajt, rruga e ndërmarrë nga ai dhe ekipi i tij nuk ka qenë për të marrë diçka, por për të ndërtuar një sistem të drejtë dhe demokratik në Shqipëri.

“Ne këtë rrugë nuk e kemi parë si mundësi për të marrë diçka. Secili prej jush është i jashtëzakonshëm për ne. Askush të mos mendojë a dalim deputetë, a fitojmë vota në qark. Mos mendoni kështu!”, vijoi ai.

Ai u shpreh se problemi nuk është vetëm tek emrat që kanë drejtuar vendin ndër vite, por te vetë sistemi, i cili ka lejuar shkatërrimin dhe ka penguar zhvillimin.

“Po të marrësh kronologjinë, gjendja e vendit nuk është çështje e atyre që kanë drejtuar, por çështje e sistemit. Shkatërrimi nuk ka qenë problem i pak njerëzve dhe rindërtimi nuk mund të bëhet me pak njerëz. Zgjidhja nuk mund të jetë kurrë individi!”, u shpreh Adriatik Lapaj.

Lini një Përgjigje