
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur ngushëllimet për familjet e 59 të rinjve që humbën jetën në një lokal nate mbrëmjen e djeshme në Maqedoninë e Veriut si pasojë e një zjarri.
Teksa ngushëllon familjet e viktimave, Berisha i uron shërim të shpejtë dhe të plotë 155 të plagosurve. AI e cilëson këtë ngjarje si një tragjedi të rëndë ku humbën jetën 59 të rinj të moshave 14-25 vjeç.
“Një tragjedi e rëndë në Maqedoninë e Veriut Miq, një tragjedi e rëndë ka ndodhur në vendin mik. Në një diskotekë në qytetin Koçan, Maqedonia e Veriut, 59 të rinj, të moshave 14-25 vjeç, humbën jetën tragjikisht nga zjarri, ndërsa 155 të tjerë pësuan djegie të shkallëve të ndryshme dhe helmim nga monoksidi i karbonit. Ndër ta, 18 janë në gjendje të rëndë.
Me këtë rast, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera dhe të Partisë Demokratike për familjet e viktimave, si dhe solidaritetin tonë me autoritetet lokale dhe qendrore të Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, lutemi për një shërim sa më të shpejtë dhe të plotë të të plagosurve në këtë tragjedi të tmerrshme”, shkruan Berisha në Facebook.
Lini një Përgjigje