
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas tragjedisë së rëndë që ndodhi në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku një zjarr shpërtheu në një diskotekë, duke shkaktuar humbjen e jetëve të 51 personave dhe lëndimin e shumë të tjerëve.
Në një postim në rrjetet sociale, Begaj u shpreh i tronditur për ngjarjen e rëndë dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave, si dhe për popullin e Maqedonisë së Veriut.
Ai tha gjithashtu se lutet për shërimin e shpejtë të të lënduarve, duke shpresuar që dhimbja në qytetin e Koçanit të lehtësohet sa më parë.
“I tronditur nga tragjedia e ndodhur, nga humbja e jetëve të reja dhe lëndimi i shumë të tjerëve nga zjarri i rënë në një diskotekë në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut.
Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për familjarët që humbën të afërmit e tyre dhe për të gjithë popullin fqinj të Maqedonisë së Veriut.
Lutjet e mia dhe të popullit shqiptar shkojnë për të lënduarit, që të gjejnë shërim të shpejtë e të mos rëndojë më shumë dhimbja në qytetin e Koçanit”, shkruan Bajram Begaj.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ka reaguar gjithashtu për tragjedinë që ndodhi në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shprehu pikëllimin e saj të thellë për ngjarjen e rëndë dhe iu shpreh ngushëllimet familjeve që humbën të dashurit e tyre.
Ajo iu uron gjithashtu të shpejtë të plagosurve dhe shprehu forcë dhe kurajë për popullin dhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut për të përballuar këtë fatkeqësi të madhe.
“Pikëllues lajmi mbi tragjedinë e tmerrshme në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku humbën jetën disa dhjetëra vajza e djem. Në këtë të diel të trishtuar, jam pranë familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur.
Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë. Forcë e kurajë popullit dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në përballimin e kësaj fatkeqësie të madhe”, shkruan Spiropali.
Lini një Përgjigje