TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Prill 2026, 11:56

U përjashtuan pasi mbështetën Salianjin, anëtari i PD: Duam ballafaqim me Berishën!

Shkruar nga Pamfleti

U përjashtuan pasi mbështetën Salianjin, anëtari i PD: Duam

Një grup anëtarësh të Partisë Demokratike në Durrës janë paraqitur në selinë qendrore të partisë, duke kërkuar një ballafaqim të drejtpërdrejtë me kryetarin Sali Berisha, pas përjashtimit të dy këshilltarëve bashkiakë, të njohur si mbështetës të Ervin Salianjit.

Tensionet brenda degës lokale janë shtuar, ndërsa anëtarët e përjashtuar e konsiderojnë vendimin të padrejtë dhe të pambështetur në prova. Në një prononcim për mediat, një prej tyre e cilësoi vendimin si në kundërshtim me rregullat e partisë dhe kërkoi transparencë nga drejtuesit.

“Jam këtu për të kërkuar shpjegime për përjashtimin tim. Çdo resht i vendimit është anti-statutor, kam kërkuar ballafaqim me lidershipin dhe kam kërkuar fakte dhe prova që çuan në vendimin e shkarkimit tim. Jemi këtu bashkë dhe me insistimin e këtyre demokratëve kërkojmë nëse është e mundur të bëjmë një ballafaqim me zotin Berisha, pasi jemi rënduar shumë me akuzat. Janë akuza shumë të rënda, për mua dhe kolegun tim. Ja ku jemi dhe të ballafaqohemi, sepse i detyrohemi këtyre demokratëve”, u shpreh ai.

Ndërkohë, të pyetur mbi akuzat për bashkëpunim me Partinë Socialiste, anëtari i PD i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta.

“Nuk kemi bashkëpunuar, është gënjeshtër shumë e madhe. Parkimi është pronë private dhe unë jam pjesëtar. Shumë mirë që më pyetet, se ka qarkulluar nën zë kjo gjëja. Unë do ju vë në dispozicion certifikatën e pronësisë që unë jam pronar. Nëse është ky shkaku kanë gabuar rëndë”, deklaroi ai.

Situata në PD Durrës mbetet e tensionuar, ndërsa kërkesa për një përballje të drejtpërdrejtë me lidershipin qendror pritet të përcaktojë zhvillimet e mëtejshme brenda partisë.

Kujtojmë se, në vendimin që mban datën 23 mars dhe që është firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i partisë, Flamur Noka, thuhet se përjashtohen nga grupi i Këshilltarëve, Dritan Burgija i cili ishte edhe kreu i grupit të këshilltarëve në Durrës, si edhe anëtari Arlind Boshku, i cili mban edhe postin e sekretarit të degës së PD në Durrës. Të dy do të jenë anëtarë të Këshillit në Durrës, por jo më nën siglën e PD. 

Lini një Përgjigje