
Nuk është Grenell, Marco Rubio pritet të jetë Sekretar i Shtetit...
Donald Trump po bën përparim në formimin e ekipit që do të qeverisë Shtetet e Bashkuara për katër vitet e ardhshme.
Ai ka zgjedhur besnikët e tij në postet kyçe. E para u zyrtarizua Elise Stefanik, 40 vjeç, kongresmene nga shteti i Nju Jorkut, e cila do të jetë ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara . “Elise është një luftëtare për Amerikën para së gjithash, tepër e fortë, këmbëngulëse dhe inteligjente”, shpjegoi manjati.
E zgjedhur në Kongres në vitin 2014, vetëm 30 vjeç, Stefanik është vendosur gradualisht në mesin e mbështetësve më të zjarrtë të ish-presidentit të cilin e mbrojti me pasion gjatë procedurave të para të shkarkimit në vitin 2019, dhe më pas refuzoi të certifikojë zgjedhjet presidenciale të fituara në 2020 nga Joe Biden.
Në krye të diplomacisë
Senatori i Floridës, Marco Rubio, një skifter për Kinën, Iranin dhe Venezuelën me përvojë të gjatë politike, pritet të bëhet sekretar i shtetit në administratën e ardhshme amerikane.
Kubano-amerikani, i lindur në Miami, do të ishte latini i parë që do të mbante këtë pozicion. Në vitin 2016, Rubio dhe Trump u përballën me njëri-tjetrin në zgjedhjet presidenciale të Partisë Republikane pa kursyer sulme të ashpra. Senatori e kishte quajtur manjatin "mashtrues" dhe "personin më vulgar që ka kandiduar ndonjëherë për president".
Por zgjedhje tij venit shpresat e Sali Berishës dhe bashkë me të, të Edi Ramës. Të dy prisnin që të zgjidhej Richard Grenell.
Ky i fundit ka bërë disa vizita në Tiranë dhe madje i premtoi Berishës se do t’i hiqte “non gratën” nëse bëhej Sekretar Shteti. Nga ana tjetër, Rama e ka mik dhe ai ka shërbyer si ndërmjetës me vajzën dhe dhëndrin e Trump për projektin e Sazanit.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare
Në linjën e ashpër me Kinën por edhe me aleatët e NATO-s është edhe deputeti dhe ish-ushtari Mike Waltz, i cili është zgjedhur për postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, emërim që nuk kërkon konfirmim nga Senati.

Një veteran i Forcave Speciale të Ushtrisë Amerikane, Ëaltz shërbeu në Afganistan, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Prej vitit 2019 është anëtar i komisioneve të Forcave të Armatosura, Punëve të Jashtme dhe Zbulimit të Dhomës. Ashtu si shumë republikanë të Kongresit, Ëaltz ka kritikuar ndihmën e ofruar nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
Një besnik për Sigurinë Atdheut
CNN shkruan se guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem do të jetë sekretari i ardhshëm i Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Në këtë mënyrë, Trump do të jetë në gjendje të llogarisë në një tjetër besnik në krye të një agjencie që mbikëqyr gjithçka, nga Doganat dhe Mbrojtja e Kufijve të SHBA-së te Emigracioni dhe Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave dhe Shërbimi Sekret Amerikan.

Noem kishte qenë në listën e ngushtë të Trump për zëvendëspresidente, por raportet ndryshuan pasi guvernatorja zbuloi në librin e saj se ajo vrau qenin e saj të gjuetisë 14 muajsh, Cricket, sepse ai ishte "i patrajtueshëm".
Agjencia e Mjedisit
Një mik tjetër i Trump që do t'i bashkohet ekipit është Lee Zeldin, i cili pritet të drejtojë Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA).

“Ai do të sigurojë që të merren vendime të shpejta dhe të drejta derregulluese që do të forcojnë fuqinë e bizneseve amerikane, duke ruajtur standardet më të larta mjedisore”, shpjegoi presidenti i ardhshëm republikan.
Shefi i parë i shtabit në Shtëpinë e Bardhë
Ditët e fundit, Trump kishte njoftuar tashmë se Susie Wiles do të bëhej shefe e stafit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Ajo është gruaja që udhëhoqi fushatën elektorale të manjatit drejt fitores, aq sa ai donte ta falënderonte nga skena: "Suzie preferon të qëndrojë pas. Por më lejoni t'ju them: ne e quajmë atë 'Ice Baby', asaj i pëlqen të jetë në sfond, por ajo nuk është në sfond", tha Trump.
Dhe zëvendësi i tij
Bashkë me të si zëvendës në këtë detyrë shumë delikate do të jetë edhe Stephen Miller, sipas asaj që kanë raportuar disa burime.

Miller ishte një këshilltar i lartë i Trump gjatë administratës së tij të parë dhe një nga arkitektët e disa prej politikave të tij më të diskutueshme të imigracionit, duke përfshirë programin e tij të ndarjes së familjes.
Cari i kufirit
Gjatë fushatës elektorale Trump premtoi një luftë kundër imigracionit të paligjshëm dhe emërimi i Tom Homan si "cari i kufirit" shkon në këtë drejtim, një rol që u mbajt nga Kamala Harris dhe në të cilin zv.presidenti luajti presidencën. Një ish-polic në shtetin e Nju Jorkut, një ish-agjent i policisë kufitare, 62-vjeçari u vendos nga administrata Obama për të drejtuar departamentin e Emigracionit. Me të Agjencia realizoi një numër rekord riatdhesimesh dhe për ta falënderuar për punën e bërë, presidenti demokrat i dha nderimin më të lartë për një zyrtar federal, Çmimin Presidencial Rank.
Në fillim të mandatit të tij të parë, Trump promovoi Homan në drejtor të ICE dhe zyrtari u bë ngadalë një nga ideatorët e politikës së "tolerancës zero" që çoi në ndarjen e mijëra fëmijëve emigrantë nga prindërit e tyre.
Skifteri u largua nga ICE në qershor 2018, por asnjëherë nuk e ka pushuar së trajtuari këto çështje, aq sa në një intervistë me CBS një muaj më parë ai dha mbështetjen e tij të plotë për planin e Trump për operacionin më të madh të dëbimit në historinë amerikane.
Anashkalimi i Senatit
Donald Trump do të donte gjithashtu të anashkalonte proceset e mundimshme të konfirmimit nga senatorët e njerëzve që ai emëroi, pavarësisht se republikanët kanë rifituar kontrollin e dhomës së sipërme të Kongresit. Për ta bërë këtë, ai synon të përdorë një klauzolë që lejon presidentin të bëjë emërime të përkohshme kur Senati nuk është në seancë. "Çdo senator republikan i interesuar për pozicionin e lakmuar të liderit të shumicës në Senatin e Shteteve të Bashkuara duhet të pranojë (këtë klauzolë), pa të cilën ne nuk do të jemi në gjendje të kemi njerëz të konfirmuar në kohë", shpjegoi manjati. /Pamfleti
Lini një Përgjigje