
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranë, Belind Këlliçi është shprehur se i mjafton 6.8% e buxhetit të Tiranës që të garantojë transport urban falas për kryeqytetin.
I ftuar në “Ora News”, Këlliçi tha se paratë për transportin falas do të vijnë nga inceneratorët, të cilët sipas tij nuk ekzistojnë dhe nuk kryejnë asnjë nga shërbimet për të cilat paguhen.
“Më mjafton 6.8% e buxhetit të Tiranës që unë të garantojnë, me 16 milionë euro në vit, 200 mijë qytetarëve që udhëtojnë më urban që të udhëtojnë pa pagesë. Të mos paguhet shërbimi 2 herë. Këta thonë se nuk bëhet, që e ka nxjerrë vetë bashkia e Tiranës, se nuk kanë 16 milionë euro për transportin falas, por paskan 430 milionë euro për incineratorët fantazmë. Incineratorët për shërbimet që nuk e kryejnë, unë do të ndaloj pagesat”, u shpreh Këlliçi.
Ai tha gjithashtu se do të shqyrtojë një moratorium për ndërtimet për një periudhë 6 mujore ose për 1 vit. Teksa shtoi se Tirana është i vetmi kryeqytet në botë që ka një pallat pa leje mbi një kullë në rastin e Syrit të Tiranës që është përballë zyrës së kryebashkiakut.
“Kemi në shqyrtim një moratorium për ndërtimet për një periudhë 6 mujore ose për 1 vit, për të ndaluar betonizimin pra kriter të Tiranës dhe të shohim lejet. Tirana është i vetmi kryeqytet në botë që ka një pallat pa leje mbi një kullë. Kjo ndodh me Sytë e Tiranës që është përballë zyrës së kryebashkiakut dhe ku janë 7 kate pa leje. Qyteti duhet të zhvillohet edhe në polet e tjera që kryebashkiaku nuk i ka zhvilluar këto pole. Ndërkohë për këtë pallatin pa leje, kryebashkiaku i dha një leje tjetër ndërtuesit, duke shembur të vetmen qendër rinore për të ndërtuar janë përbindësh betoni”, tha Këlliçi.
Ndër të tjera Këlliçi tha se do të heqë taksën e arsimit pas 14 majit, pasi sipas tij janë mbledhur 42 milionë euro nga bashkia dhe nuk dihet se ku kanë shkuar.
“Kam qenë deputet deri ditën e premte në unazën e Re dhe Astir ku janë 70 mijë banorë, gati sa Lushnja ose Berati dhe nuk kanë çerdhe dhe shkollë. Të dalë dikush dhe të ma mohojë këtë deklaratë. E njëjta gjë për zonën e liqenit të Thatë dhe Kodrës së Diellit që nuk ka asnjë çerdhe dhe asnjë shkollë në një kryeqytet që paguan një taksë antikushtetuese për arsimin. Unë do ta heq këtë taksë pas 14 majit sepse janë mbledhur 42 milionë euro nga bashkia dhe nuk dihet se ku kanë shkuar. Shkolla ndërtohen me 6 herë të çmimit të atyre që ndërton BE. Paratë janë aty dhe ka mjaft hapësira për të investuar”, përfundoi Këlliçi.
Lini një Përgjigje