TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Maj 2024, 21:56

SPAK u tërhoq, PS në aksion për të larguar Metën nga kreu i PL? Kuvendi fut në axhendë ligjet për sigurimsat në politikë

Shkruar nga Pamfleti
SPAK u tërhoq, PS në aksion për të larguar Metën nga
Sigurimsi Meta

Nismat janë parashikuar të shqyrtohen në seancë më 16 maj. Nuk dihet nëse do të miratohen apo do të rrëzohen, por nëse kalojnë, Ilir Meta rrezikohet të humbasë PL.

Nuk ndalen zhvillimet në arenën politike. Prej disa ditësh përflitet se Meta do arrestohet, por SPAK nuk po vepron. Nga ana tjetër Meta sot ju rikthye sulmeve, teksa prej disa ditësh ka akuzuar Ramën se po tenton t’i marrë PL-së vulën njësoj siç bëri me PD.

Deklaratat e tij dukeshin në vazhdën e sulmeve të zakonshme, por duket se Meta ka pasur një indice. Përveç SPAK, në Kuvend mund të ketë lëvizje për ta nxjerrë atë jo vetëm nga politika, por edhe për t’i hequr drejtimin e PL.

Kuvendi ka futur në kalendarin e punimeve nismat ligjore të PS të para dy viteve, që kanë të bëjnë me largimin e spiunëve të Sigurimit nga politika.

Projektligjet parashikojnë ndryshime në ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i dekriminalizimit, si dhe në ligjin për partitë politike.

Në rastin e parë parashikohet heqja e mandatit të deputetit për personat që verifikohen nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH, se kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit famëkeq dhe në rastin e dytë, këtyre personave u ndalohet të jenë kryetarë të një partie politike.

Të dyja iniciativat janë të Partisë Socialiste dhe u dorëzuan në vitin 2022 në Kuvend, pasi AIDSSH njoftoi Kuvendin se një email anonim kishte hedhur dyshime se një politikan i lartë me inicialet I.M kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit. Më pas u tha se ai ishte Ilir Meta.

Nismat janë parashikuar të shqyrtohen më 16 maj, teksa bashkë me to janë dhe propozimet e opozitës. Nuk dihet nëse do të miratohen apo do të rrëzohen, por nëse miratohen, Ilir Meta rrezikohet të humbasë PL.

SPAK u tërhoq, PS në aksion për të larguar Metën nga
Kalendari i punimeve

Lidhur me ndërhyrjet në ligjin e dekriminalizimit, theksohet qartë se bashkëpunëtorët e Sigurimit nuk mund të kandidojnë për kryetarë bashkie dhe deputetë. Po ashtu tregohet dhe rruga që ndiqet për verifikimin e tyre.

Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, apo denoncues që figurojnë në dokumentet e ish-sigurimit të shtetit”, thekson ligji.

Ndërkohë më tej bëhet e ditur se ata nuk mund të mbajnë as poste ministri, zv/ministri, ambasadori dhe funksione të tjera shtetërore. Pra, nëse ky ligj miratohet dhe nëse Ilir Meta rezulton vërtet spiun i Sigurimit, ai do izolohet totalisht.

Ndërkohë, ndërhyrjet në ligjin për partitë rrezikojnë ta largojnë Ilir Metën nga drejtimi i Partisë së Lirisë. Sipas ligjit, KQZ nëse konstaton se drejtuesi i një partie ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, kërkon nga kjo parti emërimin e një drejtuesi të ri. Nëse brenda dy muajsh nuk zbatohet urdhri, drejtuesi quhet i shkarkuar.

Në rastet kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vërteton se kryetari i një partie politike ndodhet në kushtet e ndalimit sipas ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë̈ funksione publike”, të ndryshuar” i kërkon partisë politike shkarkimin e kryetarit dhe zgjedhjen e një kryetari të ri brenda 2 muajve nga konstatimi. Në rast se me kalimin e afatit dy mujor, partia politike nuk ka zbatuar procedurat statutore për zëvendësimin e kryetarit, ose, sipas rastit, nuk ka zgjedhur kryetarin e ri, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos ndalimin e menjëhershëm të veprimtarisë së partisë politike, në përputhje me shkronjën “d” të nenit 26 të këtij ligji”, thekson ligji.

Edhe pse ju mbyll dosja, në AIDSSH faktet janë të qarta se ai ka bashkëpunuar me Sigurimin. Madje pak më par dolën dhe fakte që ai është paguar për spiunimin e shokut të fakultetit. /Pamfleti

Lini një Përgjigje