TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Prill 2024, 20:53

SPAK nxjerr zbuluar dyshen Rama-Berisha: Dhjetëra zyrtarë të korruptuar përfituan nga amnistia penale

Shkruar nga Pamfleti
 
SPAK nxjerr zbuluar dyshen Rama-Berisha: Dhjetëra zyrtarë të
Dyshja Rama-Berisha

Ulje dënimi përfituan 16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit...

Prokuroria e Posaçme ka nxjerrë zbuluar dyshen Rama-Berisha. Edhe pse thanë se nga amnistia penale nuk do të përfitojnë të korruptuarit, në fakt ka ndodhur e kundërta.

SPAK ka njoftuar se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga ligji “Për amnistinë”, i miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës më 4 prill në Kuvend.

Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi.

Sipas të dhënave që SPAK vuri në dispozicion të BIRN, ulje dënimi përfituan 16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit. Dy prej përfituesve ishin të dënuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Projektligji i qeverisë u mbajt peng për mungesë votash për disa muaj dhe u ndryshua në komisionin e Ligjeve nga deputetët e shumicës, duke futur në kategoritë e përfituesve edhe subjektet e dënuar nga Gjykata e Posaçme.

Pas një dakordësie mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës, Kuvendi arriti të miratojë me 4 prill ligjin “Për amnistinë penale”  me 116 vota pro në parim dhe 110 vota në votimin final.

Të vënë nën presion publik se përmes ligjit “Për Amnistinë” po falnin të dënuarit për korrupsion duke cenuar punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, premtuan disa herë se kjo nuk do të ndodhte.

Të dënuarit nga GJKKO përfitojnë nga amnistia

Premtimet e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe përfaqësuesve të opozitës se ligji “Për amnistinë” nuk prekte funksionarët e korruptuar, u përgënjeshtruan sapo ligji hyri në fuqi.

Prokuroria e Posaçme tha në një përgjigje zyrtare për BIRN se pas miratimit të ligjit, ajo bëri një analizë të detajuar të dhënash në bashkëpunim edhe me institucione të tjera të përfshira. SPAK bëri me dije se sipas analizës, 100 persona ishin përfitues sipas ligjit.

“Nga ky përditësim i analizës, arrihet në përfundimin se janë rreth 40 persona të cilët mund të përfitojnë nga përjashtimi i dënimit dhe rreth 60 persona të cilët mund të jenë subjekt i përfitimit të uljes së dënimit sipas këtij ligji”, shkruhet në përgjigjen e SPAK.

SPAK sqaron se 40 janë përfitues të amnistisë që u falet tërësisht dënimi. Këta janë të dënuar nga Gjykata e Posaçme në vitet 2023 dhe 2024 për akuzën “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Në këtë kategori përfshihen kryesisht ryshfet-dhënësit.

Përveç tyre, 60 të dënuar për vepra të lidhura kryesisht me korrupsionin në vitet 2023 dhe 2024 përfitojnë ulje të dënimit. SPAK bën me dije se nga këta, 16 janë të dënuar me burg dhe pjesa tjetër kanë dënime të formave alternative.

“Numri i personave të cilët janë liruar nga burgu si rezultat i uljes se dënimit është 15 persona,” tha SPAK. “Ndërkohë është 1 person i cili ka përfituar ulje dënimi 1 vit e 6 muaj burgim, por vazhdon dënimin për pjesën tjetër të pavuajtur të dënimit”, shtoi SPAK.

Mes personave që përfitojnë nga amnistia janë dhe 7 anëtarë të sistemit të drejtësisë të dënuar për akuzën e “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Sipas të dhënave nga SPAK, në listën me 60 përfitues vetëm 8 janë për vepra penale që nuk përfshijnë korrupsionin apo funksionet publike. Këtu janë 5 të dënuar për kultivim e prodhim droge, 1 i dënuar për dhënie ndihme në kalimin e kufirit dhe 2 të dënuar të tjerë për thirrje dhe propagandë që nxit terrorizmin.

Mesazh kundër SPAK

Në vitin 2016, Shqipëria ndërmori një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, me qëllim krijimin e një sistemi të pavarur që mund të luftonte korrupsionin, një prej shqetësimeve kryesore të qytetarëve.

Në paketën e Reformës u përfshi krijimi i Gjykatë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i Prokurorisë së Posaçme dhe një strukture speciale policie të njohur si Byroja Kombëtare e Hetimit.  Detyra e tyre kryesore ishte hetimi dhe dënimin i të korruptuarve administratën publike dhe në nivele të larta të shtetit.  Pas zvarritjeve për disa vite, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve politike, institucionet e posaçme për luftën ndaj korrupsionit filluan të funksiononin me krijimin e SPAK në dhjetor 2019.

Katër vjet më vonë, kur strukturat e posaçme filluan të japin rezultatet e para në këtë proces, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë dhe me mbështetje thuajse unanime të deputetëve të Kuvendit – përfshi opozitën, u miratua ligji për amnistinë. Ky i fundit në mënyrë të debatueshme, pavarësisht kundërshtimeve publike, përfshiu veprat penale që hetohen dhe gjykohen nga strukturat anti-korrupsion, raporton BIRN.

Lini një Përgjigje