
Pas deklaratave të Berishës se nuk paraqitet dot të premten, SPAK e thërret të mërkurën...
Prokuroria e Posaçme nuk i ndahet Sali Berishës për dosjen e “21 Janarit”. Pavarësisht manovrave të këtij të fundit për të shmangur marrjen në pyetje, SPAK duket se është e vendosur që ai të përgjigjet për 4 vrasjet në bulevard.
Pas mosparaqitjes të premten me argumentin se nuk ishte informuar, sot kur shkoi në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, Berisha u informua që të paraqitet këtë të premte, në cilësinë e personit që ka dijeni.
Por Berisha ka dredhuar sërish duke deklaruar se të prremten nuk mund të shkojë për shkak të angazhimeve politike jashtë vendit. Mirëpo SPAK nuk është ndalur. Mësohet se prokurori i ka kërkuar Berishës të paraqitet ditën e mërurë datë 19.11.2025, në orën 09.00.
Pak ditë më parë ishte Lulzim Basha ai i cili u mor në pyetje për 4 vrasjet në Bulevard. Pas tij u kërkuar të merret në pyetje Berisha, të cilit ju dërguan 2 fletë-thirrje, por ai refuzoi t’i marrë. Njëra u shkoi truprojave dhe një shkoi në Kuvend.
"Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025).
Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025.
Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit: [email protected], më datë 10.11.2025.
Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi", tha SPAK pak ditë më parë.
Hetimi për 21 Janarin është rihapur me urdhër të Gjykatës së Lartë më 12 mars 2024, pas vendimit të Strasburgut që konstatoi shkelje të rëndësishme të procedurave dhe mungesë hetimi efektiv nga autoritetet shqiptare. Tashmë SPAK po e trajton çështjen si krim shtetëror, duke verifikuar përgjegjësinë e eprorëve politikë dhe të zinxhirit komandues.
Fillimisht, drejtësia shqiptare dënoi vetëm ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendin dhe ish-efektivin Agim Llupo, të cilët morën dënime simbolike. Por në korrik 2024, SPAK regjistroi dosjen me akuza të rënda ndaj një sërë zyrtarësh të lartë: “vrasje në rrethana cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”.
Në fokus të hetimit mbetet vrasja e Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës, ky i fundit ende pa autor të identifikuar, si dhe dyshimet për urdhra politikë dhe tentativa për të manipuluar provat menjëherë pas ngjarjes. /Pamfleti
Te paraqitet PLEHRA, sepse na nxiu jeten.