Kuvendi i Shqipërisë këtë të enjte do të votojë për kërkesën e SPAK lidhur me autorizimin për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku.
Seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa paralelisht opozita ka paralajmëruar protestë para godinës së Parlamentit.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike zhvilloi edhe një mbledhje ku deputetët diskutuan organizimin e protestës dhe qëndrimin që do të mbajnë në seancën e Kuvendit të Shqipërisë.
Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i PD-së Sali Berisha u nis drejt Parlamentit.
Gjatë diskutimeve me deputetët, Berisha kërkoi që të gjithë përfaqësuesit e PD-së të jenë të pranishëm në seancë dhe të mos ketë mungesa.
Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike ka thirrur qytetarët të mblidhen në protestë para Parlamentit në orën 10:00, paralelisht me nisjen e seancës ku do të trajtohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme.
Seanca pritet të zhvillohet nën masa të shtuara sigurie për shkak të protestës së paralajmëruar.
Forca të shumta policie janë vendosur rreth godinës së Kuvendit për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të protestës.
Një ditë më parë, zona përreth Parlamentit është rrethuar me barriera metalike si masë paraprake për protestën e thirrur nga Partia Demokratike.
Demokratët kanë bërë të ditur se do të protestojnë si jashtë ashtu edhe brenda sallës së seancave plenare, çka ka detyruar institucionet të vendosin masa të përforcuara sigurie.
Lini një Përgjigje