
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e opozitës kundër korrupsionit. Në një video-mesazh të publikuar në rrjetin social Facebook, ai ftoi qytetarët të marrin pjesë në tubimin e paralajmëruar nga opozita.
Gjatë deklaratës së tij, Balliu akuzoi qeverinë se mban qëndrime të ndryshme ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve të lartë, duke theksuar se qytetarët ndëshkohen ndërsa pushtetarët e dyshuar për korrupsion mbrohen.
Sipas deputetit demokrat, mazhoranca po përpiqet të shmangë ndjekjen penale për zyrtarë të lartë, ndërsa sipas tij, për këtë arsye janë marrë masa të shumta sigurie rreth Kuvendit.
Balliu u bëri thirrje qytetarëve që në orën 10:00 të bashkohen në protestë kundër asaj që ai e cilësoi si një qeveri që kërkon “burg për qytetarët dhe amnisti për pushtetarët e korruptuar”.
"Sot në orën 10:00, bashkohemi në protestë kundër një qeverie që burgos qytetarët për faturat e energjisë, ndërsa kërkon amnisti për pushtetarët e korruptuar. Drejtësia nuk mund të ketë dy standard", shkruan deputeti i PD në "Facebook".
Lini një Përgjigje