Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbërritur në Kuvend që prej orës 08:14, ndërsa në orën 09:00 është parashikuar të zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar.
Paraqitja më herët në Kuvend është bërë me porosi të Taulant Ballës, i cili u ka kërkuar deputetëve të shmangin përplasjet me protestën e paralajmëruar nga opozita. Po ashtu, deputetëve u është kërkuar të hyjnë në godinën e Kuvendit përmes hyrjes anësore.
Gjatë seancës së sotme pritet të votohen raportet e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka paralajmëruar një protestë që do të zhvillohet rreth Kuvendit, e cila do të nisë në të njëjtën kohë me seancën plenare dhe do të përfundojë me mbylljen e saj, pa parashikuar skenarë ngujimi.
Për garantimin e sigurisë, Policia e Shtetit ka marrë masa dhe ka rrethuar godinën e Kuvendit me barriera metalike.
Lini një Përgjigje