Pak orë para seancës plenare ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për imunitetin e deputetes Belinda Balluku, Partia Socialiste ka mobilizuar deputetët e saj për të siguruar pjesëmarrjen në votim.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, u ka dërguar një mesazh deputetëve të shumicës, ku i njofton për zhvillimin e një mbledhjeje të grupit parlamentar para nisjes së seancës.
“Mirëmbrëma. Siç ju njoftova në mbledhjen e Grupit, nesër ora 9:00 do të zhvillojmë një mbledhje Grupi në Sallën e Seancave në Parlament. Lutem merrni masa për pjesëmarrjen. Hyrja do të bëhet nga krahu i Qendrës Tregtare Toptani. Shihemi nesër”, thuhet në mesazh.
Seanca plenare e nesërme pritet të jetë e tensionuar, pasi në rendin e ditës do të jetë shqyrtimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, ndërsa paralelisht opozita ka thirrur një protestë para Kuvendit.
Partia Demokratike ka njoftuar se protestuesit do të mblidhen në orën 10:00 para Parlamentit, në të njëjtën kohë kur do të nisë edhe seanca plenare.
Për shkak të protestës dhe votimit të imunitetit të Ballukut, pritet një situatë e tensionuar si brenda sallës së Kuvendit, ashtu edhe jashtë tij. Policia ka marrë masa sigurie dhe ka vendosur gardh metalik rreth Parlamentit, ndërsa janë parashikuar edhe kufizime në qarkullimin e automjeteve në zonën përreth.
Lini një Përgjigje