Deputetët e PS pritet të shkojnë që herët në Kuvend dhe të përdorin hyrje alternative për të shmangur përplasjet me protestuesit.
Partia Demokratike pritet të ndryshojë nesër strategjinë e protestave. Ndryshe nga sa jemi mësuar zakonisht, kur protestat zhvillohen në orët e pasdites, këtë herë demokratët do të mblidhen para Parlamentit që në orën 10:00.
Kuvendi do të mblidhet nesër për të votuar mbi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku. Partia Socialiste ka bërë të ditur se do ta rrëzojë këtë kërkesë dhe kjo është arsyeja pse opozita ka paralajmëruar protestë.
Por çfarë pritet të ndodhë nesër?
Sipas burimeve, Partia Demokratike pritet të “luftojë” në dy fronte: brenda sallës së Kuvendit dhe jashtë saj.
Brenda sallës pritet të tentohet bllokimi i votimit të raportit të mazhorancës, i cili rrëzon kërkesën e SPAK. Nuk përjashtohet që të ketë edhe tensione gjatë seancës plenare.
Madje përplasjet mund të nisin që në hyrje të Parlamentit, pasi janë përjashtuar deputetët Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, të cilët mund të tentojnë të futen në sallë.
Ndërkohë jashtë Parlamentit situata pritet të jetë edhe më e tensionuar. Që sot, policia ka rrethuar godinën e Kuvendit me gardh metalik, duke sinjalizuar për mundësi përplasjesh.
Burime bëjnë me dije se nesër pritet të jenë në gatishmëri edhe autobotet e ujit, ndërsa nuk përjashtohet përdorimi i gazit lotsjellës në rast përshkallëzimi të situatës. Po ashtu janë dhënë sinjale se protesta mund të tentojë të afrohet deri në hyrjen e Parlamentit.
“Qytetarët e kanë të drejtën të hyjnë vetë në atë Parlament, kur e shohin që përfaqësuesve të tyre u pengohet ushtrimi i misionit. Kanë të drejtë ta ushtrojnë drejtpërdrejt sovranitetin e tyre”, ka deklaruar ish-deputeti Asllan Dogjani.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste pritet të ndjekë një plan për të shmangur çdo përplasje me protestuesit.
Deputetët e mazhorancës janë njoftuar të paraqiten në Kuvend që herët, rreth orës 08:00, për të shmangur bllokimet dhe tensionet jashtë godinës. Ata janë urdhëruar të mos mungojë asnjë.
Po ashtu pritet që ata të përdorin hyrje alternative, si për të hyrë në sallë ashtu edhe për të dalë prej saj, pasi një nga skenarët e opozitës është izolimi i deputetëve brenda Parlamentit.
Qindra forca policie pritet të jenë në gatishmëri për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë protestës. Ndërkohë qarkullimi i automjeteve në zonën përreth Parlamentit pritet të kufizohet ose të bllokohet gjatë zhvillimit të protestës. /Pamfleti
Kjo proteste eshte nje loje e ndyre Berisha Rama qe mos ti lene socialistet te votojne dhe ne te mos kuptojme se sa ju vlen lekura secilit prej tyre.Duhet ti linin te votonin normalisht dhe pastaj mund te protestonin sa te duan. Ne kete menyre ndihmojne socialistet,te cilet paveresisht se cfare tha Rama,jane ne pozite te veshtire,pasi do dali karakteri i secilit prej tyre.Kete shans ,me kete proteste, do ta humbasim.Ata do thone,se nen presion nuk votojme dhe do mbyllet seanca.Kjo eshte loja.