
Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të shumta sigurie në zonën përreth Kuvendit, pak orë përpara zhvillimit të seancës plenare dhe protestës së paralajmëruar nga opozita.
Rreth 1500 efektivë policie janë vendosur në gatishmëri për të monitoruar situatën gjatë tubimit. Një pjesë e tyre janë pozicionuar në hyrje të godinës së Parlamentit, të pajisur me mburoja dhe mjete të tjera sigurie, përfshirë edhe fikëse zjarri.
Që nga mbrëmja e kaluar, zona përreth Kuvendit është rrethuar me gardhe metalike, ndërsa pas tyre është ngritur një kordon sigurie me forca të rendit dhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Në ambientet e brendshme të Parlamentit janë vendosur gjithashtu automjete të specializuara me ujë me presion, të cilat përdoren në rast të përshkallëzimit të situatës gjatë protestave.
Sipas burimeve, Partia Demokratike pritet të zhvillojë një protestë si brenda ashtu edhe jashtë Parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj qëndrimit të mazhorancës për mosarrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Policia ka bërë të ditur se nga ora 06:00 e mëngjesit deri në përfundim të tubimit, do të kufizohet qarkullimi në rrugën “George W. Bush” pranë godinës së Kuvendit.
Autoritetet paralajmërojnë se, në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë kufizime edhe në rrugë të tjera, ndërsa qytetarëve u rekomandohet të përdorin rrugët alternative për qarkullim.
Lini një Përgjigje