TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Mars 2026, 07:29

Kangjella, policë e protestues/ Kuvendi nën rrethim vendos për kërkesën e SPAK-ut ndaj Ballukut

Shkruar nga Pamfleti
Kangjella, policë e protestues/ Kuvendi nën rrethim vendos për
Nga protestat e opozitës në Kuvend

Kuvendi do të njihet me dy raporte të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, që janë krejt të kundërta në raport me kërkesën e SPAK, njëri i hartuar nga Ulsi Manja në emër të PS-së dhe tjetri nga Gazment Bardhi në emër të PD-së...

Një seancë e tensionuar pritet të jetë ajo e sotmja në Kuvendin e Shqipërisë, ku kryeçështja është votimi për kërkesën e SPAK lidhur me autorizimin për imunitetin e ish-zv.Kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Pavarësisht se socialistët kanë marrë një vendim politik për të mos dhënë pëlqimin mbi kërkesën e SPAK, sërish grupi parlamentar socialist do të mblidhet 1 orë para seancës, ndoshta për të përcaktuar edhe strategjinë që do të ndiqet, në rast të tensioneve në Kuvend.

Mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së është thirrur në orën 09:00, një orë para se të nisë seanca, por edhe protesta e opozitës. Gjithashtu njoftohet se deputetët e PD-së do të mblidhen në selinë e kësaj partie rreth orës 09:00, ndoshta për të përcaktuar detaje nga mënyra se si do të veprohet gjatë ditës së sotme, ndërsa do t’i drejtohen sallës së seancave plenare bashkarisht, në mënyrë të organizuar, të shoqëruar edhe nga qytetarë që do të marrin pjesë në protestën e thirrur.

Mbështetësve të saj iu është kërkuar një pjesëmarrje masive në atë që konsiderohet si protesta e pranverës së demokracisë nga kreu demokrat Sali Berisha. Nga deputetë të PD-së ka pasur deklarata për një protestë paqësore, pa përsëritur skena me molotovë, por temperatura e protestës është ngritur paraprakisht nga kreu demokrat, Sali Berisha, që përdor një gjuhë të ashpër dhe bën paralajmërime të forta.

Për kohën kur do të mbahet protesta, pritet që pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve të jenë nga Tirana dhe zonat përreth, dhe kjo është arsyeja që në ditët e fundit, e gjitha vëmendja për organizimin e protestës është përqëndruar në degët e PD në Tiranë dhe takime me qytetarët e kryeqytetit. 

Opozita pritet të protestojë brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit, ndërsa Garda është udhëzuar që të ushtrojë kontroll ndaj ligjvënësve për të parandaluar futjen në sallën e Kuvendit të tymuseve apo flakadanëve, sikundër ka ndodhur edhe në jo pak raste në legjislaturën e kaluar.

Kuvendi do të njihet me dy raporte të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, që janë krejt të kundërta në raport me kërkesën e SPAK, njëri i hartuar nga Ulsi Manja në emër të PS-së dhe tjetri nga Gazment Bardhi në emër të PD-së. Bardhi nuk do të jetë i pranishëm në seancë për shkak se është përjashtuar nga punimet e Kuvendit, çka mund të përbëjë një arsye më shumë, që tensionet të nisin ende pa filluar debati për çështjen Balluku.

Kangjella, policë e protestues/ Kuvendi nën rrethim vendos për

Policia e Shtetit, prej orës 06:00 të mëngjesit deri në përfundim të tubimit, ka vendosur kufizimin e lëvizjes në rrugën “George W. Bush”.

Në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore përreth, ndërsa policia ka parashikuar devijimin e trafikut në rrugë alternative.

Policia u bën thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim për kufizimet në qarkullim dhe të distancohen në rast se përballen me veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

“Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 10:00, para Parlamentit,” thuhet në njoftimin e policisë.

Në kuadrin e shtimit të masave të sigurisë dhe për të parandaluar një shkelje të atij që konsiderohet si perimetër sigurie, prej mbrëmjes së të mërkurës, Kuvendi i Shqipërisë është rrethuar me barriera metalike. Pas tyre do të qëndrojnë punonjësit e policisë, dhe natyrisht përballë do të jetë protestuesit.

Kangjella, policë e protestues/ Kuvendi nën rrethim vendos për

Në këtë mënyrë, Kuvendi pritet të vijojë punimet i rrethuar nga policia, protestues e barriera metalike, ndërsa hyrja nga do të lëvizin deputetët është ajo nga pedonalja.

Ambasada e SHBA në Tiranë i ka kërkuar shtetasve të saj që të shmangin lëvizjet nga zona ku do të protestohet, pasi situata mund të precipitojë. Ky është një njoftim standard që Ambasada e SHBA bën sa herë që në Tiranë mbahen protesta, por njëherazi është edhe një paralajmërim se në protesta mund të ketë akte dhune. /Pamfleti/

 

opozita protesta kuvend balluku

Lini një Përgjigje