Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar para seancës së sotme në Kuvend ku do të votohet imuniteti për deputeten Belinda Balluku.
Në reagimin e saj, ambasada britanike thotë se imuniteti nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit. Reagimi vjen ndërkohë që në Kuvend pritet sot të votohet në lidhje me imunitetin e Belinda Ballukut, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.
“Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut.
Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE.
Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, thuhet në postim.
Përpara seancës në parlament për Belinda Ballukun, PS mbajti mbledhje të grupit. Ata kanë diskutuar në lidhje me faktin sesi do të veprohet gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike mban një qëndrim krejt të kundërt lidhur me çështjen.
Demokratët insistojnë se Kuvendi duhet të japë autorizimin për arrestimin e Ballukut, duke argumentuar se edhe pse ajo nuk mban më poste qeveritare, vazhdon të ketë ndikim politik dhe institucional që mund të përdoret për të intimiduar dëshmitarë apo për të ndërhyrë në prova. Sipas tyre, heqja e imunitetit parlamentar dhe lejimi i arrestimit është një hap i domosdoshëm për të garantuar një hetim të pavarur dhe të pakushtëzuar.
Raporti i opozitës është dorëzuar i pari dhe pritet të paraqitet në seancën plenare nga deputeti Oerd Bylykbashi, i cili është anëtar i Këshillit të Mandateve nga radhët e Partisë Demokratike.
Ai do ta lexojë raportin në vend të kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili nuk do të jetë i pranishëm për shkak të përjashtimit nga Komisioni i Etikës.
Ndërkohë, raporti i shumicës do të paraqitet nga ministri i Drejtësisë dhe deputeti socialist Ulsi Manja.
Lini një Përgjigje