Ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur për t’u marrë në pyetje nga SPAK në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Poshtë banesës së ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërkohë ndodhet policia e cila po pret të shoqërojë Berishën në prokurori.
Në lagjen 'Mustafa Matohiti' ku jeton Berisha, janë dy makina të policisë, të cilat do të bëjnë shoqërimin drejt SPAK të Berishës në SPAK.
Ndërkohë, avokatët e Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi janë të pranishëm në pallatin ku banon Berisha.
Kjo është hera e parë që Berisha do të pyetet në SPAK për çështjen Partizani, për të cilin është caktuar dhe masa ‘arrest shtëpie’.
Do të jenë prokurorët Enkeleda Minollai dhe Arben Kraja ata që do i drejtojnë pyetje Berishës, ndërkohë që para nisjes së seancës ka forca të shtuara policie para Strukturës së Posaçme.
Prej 3 javësh Berisha nuk lejohet të dalë jashtë shtëpisë së tij, ai e ka gjetur mënyrën si të komunikojë me demokratët. Nga dritarja e banesës së tij, ai del e mban fjalime prej dy javësh tashmë, çdo pasdite, duke u bërë thirrje mbështetësve të dalin në protesta kundër qeverisë.
Seanca pritet të mbahet në orën 10:00.
Vetë Berisha nuk ka bërë asnjë deklaratë deri më tani dhe nuk dihet nëse do të shkojë, apo do të paraqesë vetëm avokatët. Por e bija e Berishës, Argita Malltezi deklaroi mbëmjen e djeshme në një dalje për mediat se ish-kryeministri do të paraqitet në SPAK.
Dy ditë më pas, më 25 janar, SPAK ka thirrur për të marrë në pyetje edhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, në hetim edhe për pastrim parash për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.
Për çfarë akuzohet konkretisht Berisha?
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, akuzohet për korrupsion pasiv dhe si pasojë i është ndaluar të udhëtojë jashtë vendit pas një vendimi të Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) të shtunën vonë.
SPAK-u njoftoi se ia ka caktuar Berishës masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Berisha dyshohet si pjesë e një hetimi për dyshimet për korrupsion gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”.
Kompleksi sportiv “Partizani”, me një sipërfaqe prej 26 mijë metrash katrorë, u privatizua në vitin 2008, deri në atë kohë ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Rreth 22 mijë metra katrorë i përkisnin 64 trashëgimtarëve të pesë familjeve të ish-pronarëve, mes tyre edhe Jamarbër Malltezi, ndërsa 4 mijë metra katrorë të tjerë ishin pronë shtetërore. Në fund të procesit të kthimit të kësaj prone, Jamarbër Malltezi arriti të marrë 35 % të të gjithë pronës, duke përfshirë këtu edhe pjesën që ishte tokë shtetërore.
Sipas padisë së dorëzuar në SPAK, kjo është bërë përmes vendimeve të dyshimta të Qeverisë së Sali Berishës. Në atë sipërfaqe të përfituar, Jamarbër Malltezi së bashku me ortakun e tij Fatmir Bektashi, kanë ndërtuar disa kulla.
Për këto ndërtime, në kallëzimin e dorëzuar në Prokurori, theksohet se nuk dihet burimi i të ardhurave. Për këtë çështje janë thirrur në SPAK disa ish-ministra të Mbrojtjes dhe të Ekonomisë nga Qeveria e atëhershme e Berishës.
Ish kryeministri Sali Berisha, dhe familja e tij, përfshirë edhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, janë shpallur persona të padëshiruar (non grata) nga Shtetet e Bashkuara, nën dyshimet se janë të përfshirë në korrupsion të lartë dhe cenimit të demokracisë.
Lini një Përgjigje