
Demokratët janë mobilizur për protesta para SPAK
Sali Berisha për herë të parë në jetën e tij, do të ulet nesër si person nën hetim para prokurorëve Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
SPAK e ka thirrur nesër për ta marrë në pyetje lidhur me aferën e Kompleksit Partizani. Javën që shkoi Berisha ju shmang thirrjes, por nesër në mëngjes do të duhet të shkojë dhe të japë shpjegime për marrjen e vendimeve në favor të dhëndrit të tij. Berisha nuk ka lënë gjë pa thënë për prokurorët, por nesër duhet t’i shohë në sy, pasi fakti që ai po merret në pyetje do të thotë se dosja është drejt kopsitjes.
Por teksa Berisha do të merret në pyetje për disa orë, mbështetësit e tij janë mobilizuar për protestë. Në një mesazh në WhatsApp kërkohet që demokratët të mblidhen nesër para SPAK.

Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.
“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.
Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi;
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi;
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro. /Pamfleti
Lini një Përgjigje