TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Janar 2025, 18:07

Skenarët e primareve në PD, a do të përjashtohen drejtuesit politikë nga votimi?

Shkruar nga Pamfleti

Skenarët e primareve në PD, a do të përjashtohen drejtuesit

Një tjetër variant që flitet në korridoret e selisë blu është që të gjithë, pra edhe drejtuesit politikë i nënshtrohen primareve, por në listën e sigurtë, në atë që konsiderohet si lista e mbyllur, pavarësisht rezultatit të primareve, do të përfshihen përfaqësuesit më në zë të gjithë grupimeve, përfshi këtu edhe drejtuesit e partive që do të pranojnë të jenë në koalicionin që drejtohet nga Berisha.

Sali Berisha, kreu i PD-së, ka paralalmëruar se primaret, pra votimi nga anëtarësia për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit, do të mbahen.

Qëndrimi i Berishës bie ndesh me kërkesën apo qëndrimin e bërë nga Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, i cili e konsideron si një process që mund të rikthejë ndarjen mes demokratëve.

Qartësisht grupimi i Bardhit në PD, që u bashkuan në diversitet me atë të Berishës, duket se e shikon procesin e primareve si një kurth, ku anëtarët mund të nxjerrin jashtë loje shumë nga ata që në heshtje ose jo, konsiderohen si ‘armiqtë’ e fshehur të kreut demokrat.

Dhe nisur nga historia dhe zhvillimet në PD, sa herë që Berisha ka dashur të largojë nga partia emra apo figura, ka përdorur anëtarët, mos ata në bazë, ata të forumeve. Duket se e njëjta histori do të ndodhë edhe me primaret që po këmbëngulë ti realizojë, por ndoshta me një kompromis, që në votimin e anëtarësisë të mos përfshihen ata që janë drejtues në Qarqe, ata që do të drejtojnë fushatën në rang kombëtar dhe drejtuesja politike e Diasporës, Jozefina Topalli.

Ky flitet se do të jetë kompromisi që në emër të bashkimit në diversitet, Berisha do t’i afrojë Gazment Bardhit, i cili bashkë me Agron Gjekmarkajn, janë drejtues politikë njëri në Fier e tjetri në Lezhë.

Të tjerët do t’i nënshtrohen primareve dhe kjo do t’i jepte dritën jeshile Berishës që me forcën e anëtarëve, të krijojë një grupim kompakt deputetësh, të bindur dhe mirënjohës ndaj tij.

Në këtë mënyrë, pavarësisht rezultatit në 11 maj dhe numrit të ligjvënësve që do të ketë PD, pjesa dërrmuese e tyre do të jenë besnikët, që do i binden dhe nuk do të krijojnë dhimdje koke për Berishën.

Ky është njëri nga skenarët, nëse kreu i PD-së do t’i shkojë deri në fund qëndrimit për të bërë primaret.

Një tjetër variant që flitet në korridoret e selisë blu është që të gjithë, pra edhe drejtuesit politikë i nënshtrohen primareve, por në listën e sigurtë, në atë që konsiderohet si lista e mbyllur, pavarësisht rezultatit të primareve, do të përfshihen përfaqësuesit më në zë të gjithë grupimeve, përfshi këtu edhe drejtuesit e partive që do të pranojnë të jenë në koalicionin që drejtohet nga Berisha.

Ky skenar do të thotë se rezultatet e primareve do të përdoren për të përfshirë në listën e sigurtë ndonjë prej emrave surprizë që mund të rezultojë me mbështetje të lartë të anëtarësisë sipas qarqeve, ose në atë që konsiderohet si lista e hapur, pra atje ku mandati i deputetit do të merret bazuar në votën preferenciale.

Edhe në këtë rast, Berisha i jep një mesazh atyre që për gati dy vjet i trajtoi si ‘armiqtë’ e tij në luftën e brendshme në PD, duke i tundur në fytyrë rezultatet e primareve dhe në fund duke treguar ‘zemërgjerësinë’ që në emër të bashkimit, qoftë edhe në diversitet, ato do të kenë emrin në listë.

Në këtë mënyrë Berisha, si lojtar i vjetër në politikë, e ka të qartë se ata, përfshi edhe anëtarët e grupimit Bardhi, do t’I jenë mirënjohës, do të jenë kokëulur, madje edhe më të bindur pas 11 majit, se sa në këto muaj kur pritet hartimi i listave të kandidatëve.

Ata që sot e kanë një mandat deputeti në xhep, e kanë të qartë se beteja nuk është për të pasur emrin në listë, por për të qenë në atë që konsiderohet si lista e sigurtë, ose lista e mbyllur. /Pamfleti/

 

  

Lini një Përgjigje