
Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, teksa ka bërë të njëjtën thirrje si kolegët e tij se PD duhet të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit.
Bardhi tha se nëse demokratët nuk do gjejnë gjuhën e përbashkët dhe dalin në zgjedhje me 2 kandidatë kjo do të jetë një dhuratë për Ramën.
Bardhi deklaroi më tej se 14 maji nuk do jetë një betejë brenda PD-së, por duhet të jetë pikërisht kundër qeverisjes dhe kryeministrit Rama.
Ai tha gjithashtu se kandidatët e Primareve të zhvilluara nga Berisha duhet të kandidojnë nën logon e PD si kandidatët e vetëm të demokratëve, duke përmendur emra si Belind Këlliçi, Igli Cara apo Luçiano Boçi.
"Së pari propozimi është bërë publik nga Alibeaj pas mbledhjes sonë, por propozimi është bërë në mënyrë të vijueshme. Nevoja për të dalë me një kandidat në zgjedhje. Këlliçi duhet të jetë kandidat i PD-së në zgjedhje, e kam thënë hapur. Ai do duhet të jetë kandidati i atyre që regjistrohen në KQZ nën siglën e PD. Duke qenë se nuk kemi pasur përgjigje pozitive kemi dalë me atë propozim zyrtar që është i çdo kolegu në grupin parlamentar dhe në Kryesi. Secili prej nesh duhet të jetë i përgjegjshëm që brenda kampit opozitar ka dy kandidatë, por fituesi i atyre zgjedhjeve do jetë Edi Rama. A mund të ketë pengesa në zgjidhjen që ofrojmë ne, patjetër që po. Por ne jemi këtu për të ofruar zgjidhje. Unë nuk këmbëngul që të kem domainin e të vërtetës, nëse kandidatët e Primareve konsiderohen fitues nga kolegët le të përqendrohemi që t’i bëjmë fitues edhe në zgjedhje.
14 maji nuk është betejë për PD-në. Ligjërisht është zgjidhur çështja, nuk ka shqiptar që nuk e di. Grupi i Berishës tha vetë që u përjashtuan nga zgjedhjet dhe do gjejnë mënyrën për t’u futur në zgjedhje përmes koalicionit. Të gjithë jemi PD-ja dhe në zgjedhje duhet të shkojmë të gjithë bashkë për të fituar me kandidatët e përbashkët që duhet të mposhtin kandidatët e Edi Ramës.
Si po i bëjmë ne dhuratë Edi Ramës kur themi që duhet të kemi një kandidat? Unë nuk kam një gjykim për këtë, dua të besoj te përgjegjshmëria e secili koleg në PD, nuk është moment për urrejtje dhe konflikt, por duhet të bëhemi bashkë kundër Edi Ramës. A ka gjë më të sinqertë që të thuash se kandidatët e caktuar për Tiranën, Durrësin e Elbasanin duhet të mbështeten nga të gjithë?” u shpreh ai për "News 24".
Lini një Përgjigje