
“Politico”: Macron nuk e ka dashur integrimin e Shqipërisë
Emmanuel Macron do të mbërrijë të enjten në Bruksel për një takim kyç të Këshillit Europian, pa reputacionin e dikurshëm si “njeriu i ideve të mëdha”. Këtë herë do ketë tjetër "nofkë": ai që ua prish “festën” të gjithëve.
Ndërsa liderët e Bashkimit Europian mblidhen për të hartuar plane përballë krizave ekzistenciale, nga ngritja e ekstremit të djathtë, te ndalimi i një marrëveshjeje të keqe Trump-Putin për Ukrainën, ata nuk mund të mbështeten më te idetë madhështore të Macron-it.
Bisedat me 10 diplomatë dhe zyrtarë nga vende të ndryshme të BE-së, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar hapur fatin politik të presidentit francez, sugjerojnë se problemet e tij të brendshme dhe fokusi tek trashëgimia politike e kanë kthyer atë në një pengesë për përparimin e BE.
Propozimi i presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, për një “mur me dronë” që do të mbronte qiellin europian nga dronët gjithnjë e më të pranishëm rusë?
Jo realist, sipas Macron.
Ideja e presidentit të Këshillit Europian, António Costa, për të thjeshtuar procesin e anëtarësimit në BE duke hequr domosdoshmërinë e votës unanime?
As që bëhet fjalë. Franca nuk heq dorë nga e drejta e vetos.
Të bëjmë sërish planetin tonë të madh?
Ndoshta një ditë. Por tani nuk është momenti për direktivën që detyron kompanitë të monitorojnë furnizuesit e tyre globalë për abuzime me të drejtat e njeriut apo me mjedisin. As për objektivat klimatike për vitin 2040, për këtë punë.
Së fundmi, Macron është bërë më i kujdesshëm, duke refuzuar propozime që mund të provokojnë reagim të brendshëm në Francë, dhe më i ndjeshëm ndaj ideve që nuk i ka nën kontroll të plotë. Franca, në vend të kësaj, ka përqendruar energjinë në thjeshtimin e burokracive.
Këtë javë, ai po shtyn për më shumë kontrolle mbi migracionin dhe për më shumë prerje rregullash, ndërkohë që po lobon për rregulla të reja që mbajnë fëmijët larg rrjeteve sociale, dhe po përpiqet të krijojë përjashtime për prodhuesit e makinave në objektivat e gjelbra. Vështirë ta quash këtë ëndrrën europiane.
Macron fitoi nofkën “ideatori kryesor i BE-së” dhe vërshimi i tij me nisma dhe ide për reformimin e Europës përcaktoi mandatin e tij të parë si lider në skenën botërore.
Por, në tetor të vitit 2025, është e qartë se politika dhe trashëgimia kanë zënë vendin kryesor në llogaritjet e Macron-it.
Mjafton të shohësh zgjerimin.
Macron ka qenë prej kohësh një përkrahës i zgjerimit të Bashkimit Europian, si mënyrë për të rritur peshën ekonomike dhe gjeopolitike të bllokut. Ai udhëhoqi krijimin e Komunitetit Politik Europian si një lloj “dhomë pritjeje” për vendet që aspironin anëtarësimin në BE në vitin 2022, dhe një vit më vonë premtoi se do të sillte vendet kandidate sa më shpejt që të ishte e mundur.
Nuk është çudi që aleatët e tij u befasuan nga vendimi i Francës për të kundërshtuar propozimin e Costës për të hequr veton e Viktor Orbán-it në pjesë të procesit të anëtarësimit. Një figurë e rëndësishme nga grupi Renew i Macron-it në Parlamentin Europian tha se kjo lëvizje ishte “në kundërshtim të plotë” me zotimet e mëparshme të Macron-it.
“Është një gabim themelor,” tha ai.
Sipas një aleati të ngushtë të Macron-it, presidenti francez thjesht nuk ka më kapital politik për të mbështetur disa nga ambiciet e tij, sidomos ato që mund t’i japin municion euroskeptikëve dhe të djathtës ekstreme të Marine Le Pen.
“Nuk është momenti i duhur, e djathta ekstreme na fryn në qafë”, tha aleati.
“Çdo diskutim për Shqipërinë, Malin e Zi që futen në Bashkimin Europian është një dhuratë për… Le Pen-in,” shtoi ai, duke theksuar se fermerët francezë do të ishin të parët që do të dilnin në rrugë për të protestuar hyrjen e Ukrainës, gjiganti bujqësor.
Ndikimi në Bruksel ka qenë viktimë e kaosit në Francë. Macron ka ndryshuar pesë kryeministra në më pak se dy vjet dhe ishte pranë kërkimit të një të gjashti, pasi zgjedhja e tij aktuale, Sébastien Lecornu, dha dorëheqje pas vetëm 14 orësh në detyrë. Macron më pas e riemëroi Lecornu-n dhe kriza u zbut, të paktën përkohësisht. /Marrë me shkurtime nga “Politico”
Lini një Përgjigje