
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, duhet që t’i adresojnë këto shqetësime dhe të sigurojnë që investimet e ardhshme në rajon të fokusohen jo vetëm në kundërshtimin e konkurrencës me Kinën dhe të tjerët, por edhe në ruajtjen e sundimit të ligjit...
Ndërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po hyjnë në cikle të reja të udhëheqjes së tyre, Ballkani Perëndimor mund të mos jetë në krye të axhendave të tyre. Luftërat e vazhdueshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme do të kërkojnë vëmendjen e tyre kryesore, krahas atyre ndaj sfidave të brendshme.
Shtetet e Bashkuara do të harxhojnë jo pak energji në procesin e formimit të administratës së re dhe duke u përballur me një Kongres të rikonfiguruar. Ndërkohë bërthama e Evropës mbetet brishtë, me Macron në Francë që po përpiqet të stabilizojë një qeveri tjetër, dhe Scholz-in në Gjermani që përballet me një palë zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të sjellin rënien e tij politike.
Gjithsesi, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara mbeten partnerë kryesorë për Ballkanin Perëndimor. Unioni përbën mbi 66 për qind të tregtisë së rajonit, dhe mban lidhje të forta institucionale me të gjashta vendet përmes politikës së saj të anëtarësimit.
Po ashtu, të dyja fuqitë e mëdha janë lojtaret kryesorë të sigurisë përmes misioneve paqeruajtëse të EUFOR-it dhe KFOR-it. Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë qenë pak të dukshme kohët e fundit, ato ruajnë ende një ndikim diplomatik të rëndësishëm.
Në shtatorin e vitit të kaluar, shërbimet sekrete amerikane zbuluan lëvizjet e trupave serbe pranë kufirit të Kosovës, duke detyruar ndërprerjen e asaj manovre. Po ashtu, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj politikanëve serbë pro-rusë në Bosnje dhe Serbi, duke çuar në shkarkimin (e përkohshëm) të shefit të inteligjencës të sanksionuar të Serbisë, Aleksandar Vulin.
Në Ballkanin Perëndimor, reagimet ndaj kthimit të Donald Trump kane qenë kryesisht pozitive. Dhe kjo nuk është aq befasuese, pasi të gjithë udhëheqësit në Evropë po i thurin lavde presidentit të porsazgjedhur.
Leksioni është shumë i qartë: nën Trump, Shtetet e Bashkuara do të mbeten thelbësore për sigurinë dhe ekonominë e Evropës, duke e bërë shumë të rëndësishme pasjen e një marrëdhënie pune të mirë. Kjo marrëdhënie do të jetë vendimtare për bashkëpunimin e ardhshëm BE-SHBA në Ballkanin Perëndimor, por edhe për shmangien e hapave të gabuara të së shkuarës.
Gjatë mandatit të parë të Trump, ngriti jo pak shqetësime një marrëveshje e diskutueshme Serbi-Kosovë. Ajo parashihte mundësinë e ndryshimit të kufijve, dhe kundërshtohej fort nga diplomacia e BE-së. Megjithatë e ashtuquajtura marrëveshja e normalizimit të raporteve, nuk ishte ligjërisht e detyrueshme, pati pak efekt në terren, dhe e angazhoi Beogradin dhe Prishtinën që t’i zhvendosnin ambasadat e tyre në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem, një lëvizje që bie sërish ndesh drejtpërdrejt me politikën e BE-së.
Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës, do të mbeten një çështje kyçe edhe në të ardhmen. Sulmi i vitit të kaluar në Banjskë, kur terroristët serbë sulmuan një manastir në veri të Kosovës, shkaktoi 4 të vrarë, përfshirë një oficer të policisë së Kosovës. Kohët e fundit, një shpërthim dëmtoi një ujësjellës të rëndësishëm në Kosovë, një incident të cilin BE-ja e ka klasifikuar si një sulm terrorist.
Përveç sigurisë, kundërshtimi i konkurrencës gjeopolitike - veçanërisht ndikimi i Kinës - ishte një element qendror në qasjen e parë të administratës Trump ndaj rajonit. Ballkani Perëndimor ishte një pjesë kyçe e investimeve të Kinës 17+1 (tani 14+1) nën Nismën e Brezit dhe Rrugës.
Si pjesë e diplomacisë së Uashingtonit, Serbia u zotua që ta përjashtonte Huauein nga infrastruktura e saj 5G, megjithëse disa ditë më vonë kompania kineze hapi një qendër në Beograd. Ndërkohë, BE-ja humbi ndaj Kinës sa i përket diplomacisë së Covid-19.
E përjashtuar fillimisht nga mbështetja e BE-së me mjete mbrojtëse dhe vaksina, rajoni iu drejtua Kinës, dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç e përshëndeti personalisht ndihmën kineze. Që nga ajo kohë BE-ja e ka korrigjuar kursin. Përballë një realiteti të ri gjeopolitik, Brukseli e ka kuptuar emergjencën e përditësimit të politikës së saj të zgjerimit për të mbetur tërheqës për vendet e rajonit.
Tani po forcon lidhjet me rajonin, duke ofruar investime të reja. Nisma e tij kryesore është Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që synon të përshpejtojë hyrjen e rajonit në tregun e përbashkët të BE-së dhe të nxisë integrimin ekonomik.
Nëpërmjet projektit për Lehtësimin e Reformave dhe Rritjes Ekonomik, BE-ja planifikon të japë 4 miliardë euro grante dhe 2 miliardë euro kredi gjatë 3 viteve të ardhshme. Ndërsa kritikët në rajon argumentojnë se kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të nxitur ndryshime të rëndësishme, ajo nënvizon gjithsesi angazhimin e BE-së për të nxitur investimet në Ballkan.
Vetëm këtë vit, u njoftua arritja e një numri mbresëlënës marrëveshjesh investimi. Edhe pse shumë prej tyre janë shumë të kritikuara. Në shkurt u firmos marrëveshja e diskutueshme e Italisë me Shqipërinë për 2 qendra të përpunimit të emigrantëve që kërkojnë azil.
Në korrik, Gjermania ndërmjetësoi arritjen e një marrëveshje midis Serbisë dhe BE-së për minierat e litiumit, ndërsa në gusht, Franca firmosi një marrëveshje prej 2.7 miliardë eurosh me Serbinë për shitjen e 12 avionëve luftarakë francezë Rafale. Ndërkohë dhëndri i Trump, Jared Kushner, njoftoi planet për disa investime të diskutueshme në pasuritë e paluajtshme në Shqipëri dhe Serbi.
Investimet në rajon janë thelbësore për rritjen ekonomike dhe integrimin. Por një marrëveshje e tillë, që shpeshherë ndodh pa një shqyrtim publik, rrezikon të anashkalojë përpjekjet për të përmirësuar qeverisjen demokratike dhe inkurajuar udhëheqësit autokratë.
Projekti i minierave të litiumit të BE-së, ka ngjallur protesta në Serbi mbi rreziqet mjedisore, pavarësisht kritikave të BE-së ndaj investimeve kineze për shqetësime të ngjashme. Shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor të ndërtuar nga Kina në Novi Sad, që i mori jetën 14 njerëzve, ka shkaktuar protesta të gjera në Serbi dhe ka nxitur akuza për korrupsion, mbikëqyrje të dobët dhe praktika ndërtimi nën standardet normale.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, duhet që t’i adresojnë këto shqetësime dhe të sigurojnë që investimet e ardhshme në rajon të fokusohen jo vetëm në kundërshtimin e konkurrencës me Kinën dhe të tjerët, por edhe në ruajtjen e sundimit të ligjit.
Ky është çelësi për krijimin e një mjedisi të sigurt investimesh dhe për nxitjen e konkurrencës ekonomike afatgjatë duke përmirësuar qeverisjen demokratike. Vlerat nuk duhet të sakrifikohen për interesa hir të interesave të ngushta.
Bashkimi Evropian ka të ngjarë të ketë nevojë të marrë drejtimin e punëve në Ballkanin Perëndimor, duke përdorur mjetet e saj ekonomike dhe politike. Por duhet të koordinohet me Shtetet e Bashkuara për të harmonizuar prioritetet: menaxhimin e konkurrencës dhe sigurisë në mënyrë të qëndrueshme. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bashkohen, jo të ndahen./Përshtati Pamfleti nga “German Marshall Fund”
Lini një Përgjigje