Lënia e këtyre ndryshimeve pas zgjedhjeve shihet me shqetësim nga SHBA e BE, që mendojnë se një fuqizim i kastës së vjetër, mund të zgjasë edhe më tej hakmarrjen që ajo ka me SPAK-un…
Siç mësohet, amerikanëve nuk po ju pëlqen që çështjen e zgjatjes së mandatit të prokurorëve të SPAK, ta lërë pas zgjedhjeve parlamentare. Dëshirë, madje dhe vullnet politik që e ka mazhoranca e Edi Ramës.
Në takimin që zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, emisari për Ballkanin, Alexander Kasanof ka zhvilluar me Edi Ramën, është diskutuar gjatë për këtë sfidë të re.
Amerikanët mendojnë se investimi i bërë për SPAK ka dhënë frytet e veta në lidhje me goditjen e zyrtarëve të lartë, e nëse ata largohen më herët, është e vështirë që të vazhdohet trendi i nisur.
Ndërkohë mazhoranca, ka edhe më shumë bindje tani, se SPAK duhet të jetë një institucion provizor, e kompetencat e tij duhet të transferohen në mënyrë graduale në pjesën tjetër të drejtësisë, siç janë prokuroritë e rretheve dhe gjykatat e rregullta të sistemit.
Madje në zyrat e qeverisë është përgatitur një dokument që është paraqitur edhe në takimet me Bashkimin Europian, ku theksohet vullneti për të forcuar dhe aktivizuar pjesën “normale” të drejtësisë, që tani është nën hijen e veprimeve të forta të SPAK dhe GJKKO-së.
Vullneti i mazhorancës për të mos zgjatur mandatin e prokurorëve të SPAK-ut dhe të drejtuesit të tij, është parë që herët, kur kërkesa u bë nga Arben Kraja, disa vite më parë. Ku pati kundërshtimin e qartë.
Megjithatë, sot jemi në një fazë të re dhe kërkesa për të zgjatur mandatin e SPAK-ut ka ardhur zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është mbështetësi më i fortë i prokurorisë dhe gjykatës së posaçme, e madje dhe sponsori i tyre. Pasi të gjitha trajnimet, ndihmat logjistike por edhe me ekspertizën më të përparuar të kohës, vijojnë papushim për të ndihmuar hetimet.
Një investim amerikan që nuk ka asnjë gjasë që të ndërpritet edhe në mandatin e Sekretarit të ri të Shtetit Marco Rubio. I cili, gjatë punës së tij si Senator i Komitetit të Jashtëm të Kongresit Amerikan e ka mbështetur dhe votuar qëndrimin për reformën në Drejtësi në Shqipëri.
Ndërkaq, kemi të bëjmë me një administratë që vlerëson shumë çështjen e parave, pra të investimeve amerikane. Kështu nuk ka asnjë mundësi që administrata Trump të mos kërkojë frutin real të parave të shpenzuara në ndihmesën ndaj SPAK-ut.
Pikërisht për këtë, SHBA kërkon që vendimi i tyre të marrë jetë së shpejti, madje përpara zgjedhjeve të 11 majit të 2025.
Këtë kërkesë zyrtari i lartë i DASH ja ka bërë prezent Edi Ramës gjatë takimit të tyre zyrtar në Kryeministri. Mazhoranca mësohet se është justifikuar se i mungojnë votat e duhura për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjet mbështetëse që kërkojnë 84 vota.
Por, këtu amerikanët i kanë lëshuar një sfidë të zjarrtë Ramës, duke përdorur “asin” që nxori nga mënga në vitin 2016 Donald Lu.
Që do të thote; mjaft që mazhoranca ta çojë në Parlament votimin dhe të sigurojë votat e deputetëve e saj, kurse diferencën prej 20 votash “i gjejnë” partnerët.
Në realitet, ka kohë që deputetë të ndryshëm opozitarë që nuk janë në grigjën e ngushtë të Sali Berishës, kanë zhvilluar takime intensive me diplomatë perëndimorë në Tiranë. Që nga SHBA-ja, BE, por edhe diplomatë të vendeve kryesore të Bashkimit Europian. Një tregues që gjërat janë në lëvizje. Objektivi duket se është i qartë; për ta vënë Bablokun me shpatulla për muri, e të mos fshihet si struci në rërë.
Lënia e këtyre ndryshimeve pas zgjedhjeve shihet me shqetësim nga SHBA e BE, që mendojnë se një fuqizim i kastës së vjetër, mund të zgjasë edhe më tej hakmarrjen që ajo ka për aksionin e SPAK ndaj njerëzve të afërt të qeverisë dhe opozitës.
Aksione për të cilat, Rama e ka fiksim të palëkundshëm që nuk ka ndodhur thjesht nga vullneti i prokurorëve, por nga vullneti i amerikanëve dhe evropianëve./Pamfleti
Lini një Përgjigje