TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Mars 2026, 12:16

“Shteti ligjor është në krizë”, Tabaku: Kuvendi miraton ligje pa reflektim dhe analizë

Shkruar nga Pamfleti
“Shteti ligjor është në krizë”, Tabaku: Kuvendi
Tabaku

Gjatë një tryeze të nivelit të lartë të organizuar nga Westminster Foundation për forcimin e qeverisjes demokratike dhe reformave transformuese, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehu shqetësime mbi funksionimin e sistemit ligjor dhe rolin e Parlamentit në garantimin e llogaridhënies.

Sipas saj, përvoja në Kuvend ka treguar një problem të thellë strukturor: distanca mes ligjeve të miratuara dhe zbatimit të tyre në praktikë nuk është rastësore.

Tabaku argumentoi se një pjesë e mirë e legjislacionit, sidomos në luftën kundër korrupsionit, hartohet më shumë për të përmbushur kërkesat formale të integrimit europian sesa për të sjellë rezultate konkrete.

Ajo theksoi se, megjithëse në letër kuadri ligjor shpesh përputhet me standardet e Bashkimit Europian, mungesa e zbatimit real ka sjellë efekte të kufizuara dhe ka ulur besimin në reforma.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj lidhet me dobësimin e rolit mbikëqyrës të Parlamentit. Sipas Tabakut, Kuvendi është kthyer në një institucion formal, që shpesh vepron si “noter” i vendimeve të qeverisë. Ajo përmendi si problematika mungesën e konsultimeve publike, përdorimin e shpeshtë të procedurave të përshpejtuara dhe praktikën e depozitimit të projektligjeve nga deputetët e shumicës për të shmangur filtrat institucionalë.

“Këto praktika e dobësojnë cilësinë e legjislacionit dhe krijojnë hapësirë për ligje të orientuara nga interesa të ngushta,” u shpreh ajo.

Në lidhje me procesin e integrimit europian, Tabaku nënvizoi se ai kërkon vullnet politik të vërtetë dhe jo vetëm përmbushje formale kriteresh. Sipas saj, margjinalizimi i opozitës dhe anashkalimi i procedurave demokratike dëmtojnë besueshmërinë e reformave dhe ndikojnë negativisht në rrugën drejt BE-së.

Duke u ndalur te Kontrolli Post-Legjislativ, ajo theksoi se ky mekanizëm mbetet i kufizuar në efektivitet, sidomos kur qeveria nuk merr parasysh gjetjet apo vepron në kundërshtim me to.

“Çështja nuk është vetëm ekzistenca e mekanizmave, por vullneti për t’i zbatuar ato realisht,” theksoi Tabaku.

Deputetja ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e analizave të detajuara mbi kontratat e Partneritetit Publik-Privat dhe koncesionet, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në financat publike. Sipas saj, kontrolli duhet të përfshijë jo vetëm zbatimin e ligjeve, por edhe vetë procesin e miratimit të tyre.

“Nëse Kuvendi vazhdon të miratojë ligje pa reflektim dhe pa analizë, duke mos nxjerrë mësime nga gabimet, atëherë rrezikon të mbetet një institucion formal, pa rol real në kontrollin e pushtetit,” u shpreh ajo.

Në përfundim, Tabaku theksoi se sfida kryesore nuk është mungesa e ligjeve, por mungesa e vullnetit për zbatimin e tyre dhe për ndërtimin e institucioneve funksionale që garantojnë llogaridhënie. Sipas saj, pa një Parlament aktiv në funksionin mbikëqyrës, lufta kundër korrupsionit dhe procesi i integrimit europian mbeten të papërmbushura.

Lini një Përgjigje