TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Mars 2026, 20:06

Raporti/ Zgjedhje luksi në Shqipëri, KQZ e Celibashit gllabëroi 3 miliardë lekë për një proces të kontestuar

Shkruar nga Pamfleti
Raporti/ Zgjedhje luksi në Shqipëri, KQZ e Celibashit gllabëroi 3
Ilirjan Celibashi

Zgjedhjet e vitit 2025 i kushtuan buxhetit të shtetit miliarda lekë, duke u renditur ndër proceset më të shtrenjta elektorale në vend. Megjithatë, pavarësisht kostos së lartë, procesi u shoqërua me debate dhe kontestime, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën, administrimin dhe eficiencën e përdorimit të parave publike....

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri rezultojnë ndër më të kushtueshmet e viteve të fundit, me miliona euro të shpenzuara nga buxheti i shtetit, ndërsa procesi u zvarrit për muaj të tërë, duke nxjerrë rezultatin përfundimtar vetëm në shtator. Përveç kësaj, në këtë zgjedhje pati apo fund kontestime, për të mos folur me problemet përhershme me pajisjet elektronike.

Sipas raportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2025, për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve ishin planifikuar mbi 3.5 miliardë lekë, ndërsa janë shpenzuar realisht rreth 2.96 miliardë lekë, ose 83% e buxhetit.

Pjesa dërrmuese e këtyre fondeve ka shkuar për shpenzime korrente dhe shërbime, ku vetëm ky zë ka përthithur mbi 2.7 miliardë lekë. Ndërkohë, investimet janë realizuar në nivelin 95%, ndërsa fondet për paga dhe sigurime për stafet mbështetëse kanë arritur në 94%.

Një nga kostot më të larta lidhet me votën e diasporës, e cila u aplikua për herë të parë në këto zgjedhje. Vetëm për shërbimin postar janë planifikuar 1.21 miliardë lekë, ndërsa kontrata është lidhur për rreth 912 milionë lekë dhe janë shpenzuar realisht afro 700 milionë lekë.

Megjithatë, edhe pse një pjesë e fondeve rezulton e pakonsumuar, diferencat tregojnë më shumë për një planifikim të paqartë sesa për efikasitet. Mbi 510 milionë lekë mbetën të papërdorura, si pasojë e parashikimeve më të larta se sa volumi real i shërbimit.

Por ajo që bie më shumë në sy nuk është vetëm shuma e parave të shpenzuara, por fakti se pavarësisht këtij buxheti të konsiderueshëm, procesi zgjedhor nuk arriti të përmbyllej në kohë.

Edhe pse votimi u zhvillua më 11 maj, rezultati përfundimtar dhe mbyllja e plotë e procesit u shtynë deri në muajin shtator, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi efikasitetin e administrimit zgjedhor.

Në një sistem ku çdo vit flitet për modernizim dhe përmirësim të standardeve, zvarritja për katër muaj e rezultatit final bie në kontrast të fortë me investimet e bëra. Miliona lekë për teknologji, logjistikë dhe administrim nuk arritën të garantojnë një proces të shpejtë dhe të besueshëm.

Zgjedhjet e vitit 2025 shënuan gjithashtu një tjetër rekord: një volum të lartë fondesh për shërbime, ku përfshihen transporti, teknologjia, komunikimi dhe organizimi i përgjithshëm i procesit. Por në fund, qytetarët u përballën me një realitet tjetër, pritje të gjatë për rezultatin dhe një proces që mbeti i diskutueshëm.

Kjo situatë ngre një pyetje thelbësore: nëse zgjedhjet kushtojnë miliona, pse nuk garantojnë as shpejtësi dhe as efikasitet? /Pamfleti

 

celibashi zgjedhje

Lini një Përgjigje