TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Nëntor 2024, 09:53

Shqipëria dënon ashpër sulmin në veri të Kosovës, Begaj telefonon Osmanin: Akt terrorist

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria dënon ashpër sulmin në veri të Kosovës,
Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas shpërthimit në kanalin ujitës të Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Zyra për shtyp e presidencës bën me dije se Begaj dënoi ashpër aktet terroriste që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare të saj. Ai mbështeti Kosovën për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues.

“Zhvillova një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ku dënova ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic, që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cënojnë sigurinë kombëtare të Kosovës. Mbështes fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”, njoftoi presidenti Begaj.

Shpërthimi në Ibër-Lepenc nuk shkaktoi viktima. Kanali ujitës furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës si dhe Korporatën Energjetike për ftohjen e termoeletranave të saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për “sulm kriminal dhe terrorist“, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

Pas këtyre sulmeve, Policia e Kosovës tha të premten se ka shtuar masat e sigurisë në Kosovë, përfshirë në pjesën veriore të shtetit, ku ditëve të fundit kanë ndodhur “disa sulme apo incidente serioze kriminale”.

shperthimi ne veri te kosoves bajram begaj vjosa osmani

Lini një Përgjigje