TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Prill 2025, 10:03

Shqipëria, aty ku media tatohet dhe propaganda subvencionohet

Shkruar nga Gjergj Zefi

 Shqipëria, aty ku media tatohet dhe propaganda subvencionohet

Shqipëria po rrëshqet drejt një modeli ku mediat bëhen ose pjesë e propagandës, ose viktima të një mjedisi ligjor të ndërtuar me qëllim kontrolli...

Në Shqipëri, fjala e lirë asnjëherë nuk ka qenë një koncept i përqafuar me sinqeritet nga qeveritë. Çdo regjim, majtas apo djathtas, ka dashur të ketë një buton kontrolli mbi median, një hallkë të kapur në zinxhirin e propagandës. Kjo qasje ka prodhuar një mjedis të tensionuar, ku çdo tentativë për të miratuar ligje për mediat shoqërohet me dyshime të thella për censurë dhe goditje ndaj pavarësisë editoriale.

Aktualisht, Shqipëria është një nga vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që aplikon një Tatim mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) prej 20% mbi shërbimet mediatike audiovizive, një politikë që penalizon rëndë median e pavarur dhe vendos një barrë të padrejtë financiare mbi subjektet që përpiqen të mbijetojnë jashtë kontrollit politik apo oligarkik.

Më skandaloze është fakti se mediat online, të cilat janë ndër burimet më dinamike të informacionit dhe analizës, nuk përfitojnë asnjë përjashtim apo mbështetje: ato nuk blejnë asgjë me TVSH, por janë të detyruara ta paguajnë në mënyrë të verbër tatimin mbi vlerën e shtuar.

Për kontrast; në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi, ligjvënësit kanë reformuar politikat fiskale për të ndihmuar median si hallkë të rendit demokratik dhe interesit publik.

Në Kosovë, për shembull, TVSH për mediat është zero, një politikë e qartë për të mbrojtur fjalën e lirë dhe për të fuqizuar median si aktor shoqëror në një treg të vështirë dhe të ngarkuar me presione politike. E njëjta qasje ekziston edhe në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe në Malin të Zi, ku media konsiderohet jo vetëm mjet informimi, por edhe mburojë ndaj autoritarizmit.

Në Maqedoninë e Veriut, qeveria ka krijuar fonde të dedikuara për mbështetjen e gazetarisë cilësore, në bashkëpunim me agjenci ndërkombëtare.

Ky standard nuk është vetëm tregues vullneti, por edhe kusht për integrimin europian. Të gjitha vendet e rajonit që synojnë një kapitull të ri në marrëdhëniet me BE-në po e kuptojnë se pa një media të lirë nuk ka progres real. Shqipëria, në këtë krahasim, del si një vend që i ndëshkon zërat kritikë financiarisht dhe hesht institucionalisht për përjashtimin sistematik të medias nga çdo paketë mbështetëse ekonomike.

Ndërsa në Shqipëri, jo vetëm që nuk ka një strategji për të ndihmuar median e lirë, por asnjë nga partitë politike nuk e ka përfshirë këtë çështje në programin e saj, para zgjedhjeve të 11 Majit. Kjo heshtje është domethënëse, një lloj konsensusi i heshtur për të mbajtur mediat nën presion ekonomik dhe ligjor. Në vend të kësaj, është nxitur vazhdimisht ideja e krijimit të një “ligji për mediat”, që në thelb nuk synon standarde, por sanksione.

Të gjithë draftet që kanë qarkulluar vitet e fundit, të propozuara nga qeveria apo institucionet e lidhura me të, janë përpjekur të imponojnë gjoba, kufizime, regjistrime të detyrueshme, madje edhe kontroll përmbajtjeje, për median online – një shkelje flagrante e standardeve të Këshillit të Europës dhe direktivave të BE-së për lirinë e informacionit.

Në këtë klimë, Shqipëria po rrëshqet drejt një modeli ku mediat bëhen ose pjesë e propagandës, ose viktima të një mjedisi ligjor të ndërtuar me qëllim kontrolli. Akoma më keq, vendi mbetet pa një zë institucional të organizuar që të artikulojë interesat dhe nevojat e komunitetit mediatik. Në vend që të funksionojnë si mbrojtës të profesionit dhe lobistë për standarde më të mira ligjore e fiskale, shumica e shoqatave të gazetarëve në Shqipëri janë të orientuara politikisht, të heshtura përballë abuzimeve ligjore dhe të paafta për të ndikuar në përmirësimin e legjislacionit mediatik. Asnjë prej tyre nuk ka marrë një qëndrim serioz për të adresuar handikapin tatimor apo trajtimin diskriminues që u bëhet mediave online dhe atyre të pavarura drejt një modeli ku ato bëhen ose pjesë e propagandës, ose viktima të një mjedisi ligjor të ndërtuar me qëllim kontrolli. Dhe ajo që është më shqetësuese, është se kjo po ndodh pa asnjë debat të ndershëm publik, pa përfshirje të shoqërisë civile, dhe me indiferencë totale të aktorëve politikë që shpresojnë të përfitojnë nesër nga e njëjta formulë kontrolli.

Në Ballkanin Perëndimor, vendet që aspirojnë realisht integrimin europian po e kuptojnë se liria e medias është indikator kyç. Shqipëria, përkundrazi, po e shndërron median në armik të pushtetit dhe informacionin në mall të taksuar.

Nëse ky trend nuk ndalet, nëse partitë nuk i japin vend medias në programet e tyre si garant i pluralizmit, atëherë Shqipëria rrezikon të jetë vendi i vetëm në rajon ku fjala e lirë është luks dhe gazetaria, një profesion me kosto të papërballueshme./Pamfleti

shqipëria media tatimi propaganda

Lini një Përgjigje