
Ervin Salianji ka vijuar turin e tij të takimeve me demokratët, duke u ndalur këtë herë në Elbasan, ku mes një salle të mbushur plot, ka goditur ashpër drejtuesit aktualë të Partisë Demokratike, të cilët sipas tij po përpiqen të pengojnë kontaktin me bazën.
“Leadership-i i Partisë Demokratike, në vend që të japë llogari, kërkon llogari pse takohen demokratët”, deklaroi Salianji. Ai ngriti pyetjen se cili nen e ndalon një përfaqësues të PD-së të takohet me qytetarët që përfaqëson. “Çdo nen dhe çdo frymë që përbën Partinë Demokratike nxit që PD të jetë në terren. Nëse çdo drejtues do të bënte këtë që po bëjmë ne, PD do t’i kishte sheshet plot dhe do të ishte forcë fituese”, u shpreh ai.
Salianji theksoi se rrëzimi i regjimit të Edi Ramës mund të vijë në dy mënyra: “Ose me protesta masive dhe revoltë që paralizon jetën politike të këtij vendi, ose me kutitë e votimit, duke frymëzuar aq shumë njerëz sa të tejkalojnë manipulimin që Rama e ka ngritur në sistem nga zgjedhjet në zgjedhje”.
Mesazhi i Salianjit është i qartë: një thirrje për organizim, veprim dhe përgjegjësi politike në çdo cep të vendit. Ai po përpiqet të krijojë një frymë të re brenda një partie të përçarë.
Lini një Përgjigje