Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale lidhur me rritjen e çmimeve të karburanteve në vend, duke e cilësuar situatën si pasojë të një sistemi ekonomik të korruptuar që, sipas saj, rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët.
Sipas Tabakut, pikat e karburantit kanë rritur çmimet menjëherë dhe në nivele të larta, edhe pse në tregjet ndërkombëtare nuk është reflektuar ende një rritje që ta justifikojë këtë situatë në Shqipëri. Ajo theksoi se depozitat e karburantit në vend janë të mbushura, çka sipas saj shton dyshimet për spekulim në treg.
Deputetja demokrate kritikoi edhe institucionet përgjegjëse, duke deklaruar se Autoriteti i Konkurrencës dhe qeveria po krijojnë përshtypjen se po monitorojnë situatën, ndërsa në praktikë nuk po ndërmarrin masa konkrete për të mbrojtur konsumatorët.
Tabaku theksoi gjithashtu se, ndryshe nga Shqipëria, disa vende të rajonit kanë marrë masa për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve, ndërsa sipas saj në vend qytetarët përballen vetëm me deklarata dhe propagandë.
“Rritja e çmimeve pa u reflektuar ende në bursat ndërkombëtare dhe me depozitat e mbushura është në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë. Ky është rezultat i një sistemi të korruptuar ekonomik që ka kapur çdo hallkë të tregut, nga pikat e karburantit deri tek çmimet që paguajnë çdo ditë qytetarët”, u shpreh Tabaku.
Në përfundim të reagimit të saj, ajo theksoi se situata aktuale tregon nevojën për një ndryshim të thellë të sistemit ekonomik dhe institucional në vend, duke shtuar se vetëm një treg i ndershëm dhe konkurrues mund të garantojë mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të biznesit të ndershëm.
Lini një Përgjigje