SPAK raporton se gjatë vitit 2025 ka vënë nën hetim 16 zyrtarë të nivelit të lartë për korrupsion. Hetimet janë mbështetur kryesisht në analizën e celularëve dhe provave digjitale, ndërsa BKH ka zgjeruar kapacitetet, duke siguruar akses në 22 databaza shtetërore dhe disa databaza ndërkombëtare...
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka intensifikuar hetimet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë. Në raportin e vitit 2025 bëhet me dije se SPAK ka vënë nën hetim 16 zyrtarë të nivelit të lartë.
Prokuroria bën me dije se në total numri i personaliteteve që po hetohen, përfshirë edhe dosje të mbartura nga vitet e kaluara, është 30.
“Sikundër është evidentuar në pjesën hyrëse të këtij raporti, krahasuar me vitin 2024, vihet re një rritje në masën 17.7% e numrit të çështjeve/hetimeve të regjistruara për veprat penale që lidhen me korrupsionin. Ky tregues për vitin 2025 rezulton më i larti krahasimisht edhe me vitet paraardhëse. Për sa i përket veprave penale që lidhen me zyrtarë të nivelit të lartë, gjatë vitit 2025 në SPAK janë regjistruar 6 procedime të reja me 16 persona nën hetim. Për vitin 2025 rezultojnë gjithsej (të mbartura + të regjistruara) 27 procedime penale me 30 persona në hetim/të pandehur, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë (nga 33 në vitin paraardhës). Nga 30 ish-zyrtarë të lartë për vitin 2025 janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim 18 prej tyre (ndërkohë që për vitin 2024 ishin 19)”, theksohet në raport.
SPAK ka pranuar se ndihma më e madhe në hetime janë telefonat dhe përgjimet. SPAK ka krijuar një laborator të sofistikuar për “zbërthimin” e celularëve.
“Gjatë periudhës 2022-2025, Sektori i Ekspertizës pranë SPAK ka shënuar një rritje të qëndrueshme prej rreth 31% të akteve të ekspertimit, duke reflektuar zgjerimin e kapaciteteve teknike të laboratorëve të BKH-së, si dhe rritjen e kërkesave për analiza digjitale të thelluara. Telefonat celularë përbëjnë vazhdimisht rreth 70-75% të provave totale, duke nxjerrë në pah rëndësinë e analizës së metadata-ve, komunikimeve online dhe aplikacioneve të enkriptuara, ndërsa analizat mbi pajisjet kompjuterike janë rritur me 62%, duke pasqyruar shtimin e dokumenteve financiare dhe atyre elektronike në hetime”, thekson raporti.
Më tej bëhet me dije se Byroja Kombëtare e Hetimit ka arritur të ketë akses në 22 databaza shtetërore, si dhe në disa databaza të huaja.
“Në aspektin struktural, BKH ka ngritur Seksionin e Përgjimit Parandalues, ndërsa dy njësitë e tjera të vlerësimit të riskut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar janë në proces vlerësimi me SPAK. Hetuesit e BKH-së kanë rritur aksesin në 22 databaza kombëtare dhe 3 të huaja, në negociata për të shtuar 14 institucione të tjera dhe një agjenci të huaj (EMPACT). BKH ka vazhduar gjithashtu pjesëmarrjen në platformën EMPACT dhe ka siguruar trajnime të vazhdueshme për hetuesit e saj”, thekson SPAK.
Sipas SPAK, këto zhvillime lidhen edhe me përmbushjen e rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe synojnë forcimin e hetimeve ndaj korrupsionit në nivelet e larta të shtetit, si dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimit të organizuar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje