Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me deputetin gjerman Peter Beyer, ku në qendër të diskutimeve ishte situata politike në Shqipëri dhe procesi i integrimit europian të vendit.
Pas takimit, Berisha deklaroi se e informoi deputetin gjerman për qëndrimet e opozitës lidhur me zhvillimet e fundit politike, si dhe për problematikat që po ndikojnë në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se opozita mbetet e angazhuar për integrimin europian të vendit dhe e konsideron atë projektin më të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë.
“E njoha me të gjitha pikëpamjet e opozitës me këto zhvillime dhe e sigurova se ne qëndrojmë të vendosur në projektin e integrimit të Shqipërisë në Europë, si projekti më i mirë, projekti për të ardhmen më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Natyrisht e njoha edhe me pengesat e mëdha, serioze, shumë të mëdha, me gjendjen e bllokimit të plotë të sistemit të drejtësisë, kartelet e drogës dhe fuqinë e tyre shumë të madhe për shkak të lidhjeve të niveleve më të larta dhe vështirësi të tjera me të cilat ne përballemi, por edhe vendosmërinë tonë për të vazhduar përpjekjet në këtë vend që të realizojmë projektet që kemi. Faleminderit shumë dhe njëherë zoti Beyer për të gjithë mbështetjen dhe interesin tuaj për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje