
Porti i Porto Romanos ndez luftën e fuqive të mëdha: Rama flet për Planin C mes presionit amerikan dhe gjerman...
BKH hyn në tenderin 400 milionë euro, ndërsa në prapaskenë përplasen interesat e SHBA-së, Gjermanisë, Italisë, Greqisë dhe kapitalit saudit për portin strategjik të Durrësit.
Edi Rama ka paralajmëruar në mbledhjen e grupit të PS-së se, nëse do të bllokohet projekti i portit të madh në Porto Romano, ai ka jo vetëm një plan B, por edhe një plan C, për të dalë nga situata.
Deklarata është bërë pas dy zhvillimeve të bujshme: mësymjes së oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kanë sekuestruar dokumentacionin e tenderit, si dhe një proteste verbale të kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Grant Van Cleve, i cili i kërkoi kryeministrit anulimin e tenderit.
Por çfarë ka ndodhur këtu dhe çfarë fshihet në prapaskenë?
Porti i madh i Porto Romanos, fillimisht i alokuar me një projekt që shkon deri në 400 milionë euro, me mundësi rritjeje në të ardhmen, ka një potencial shumë të madh interesash ekonomike dhe financiare.
Ndaj ekziston një interes i dukshëm, edhe për arsyen se përveç mjeteve tregtare, pra kontenierëve të mallrave civile, pritet që të atashohen edhe mjete ushtarake të NATO-s. Siç ndodh me portin e Napolit dhe atë të Gioia Tauro-s në Kalabri, çka u jep këtyre siteve një fuqi të madhe përpunimi dhe fitimi.
Aktualisht, tenderi i ndërtimit i është dhënë një konsorciumi shumë të madh dhe disi të çuditshëm, pasi janë bashkuar tre korporata të mëdha europiane: grekja Archirodon Construction, përkatësisht filiali i saj ndërkombëtar me seli në Hollandë; korporata e njohur belge DEME Dredging; si dhe korporata e njohur e Venecias Società Italiana Dragaggi S.p.A.
Një “martesë” e komplikuar interesash, që në radhë të parë fsheh një përpjekje për qoka nga Edi Rama, qoftë për grekët e Mitsotakis-it, për qeverinë e Giorgia Meloni-t, si dhe për një kompani belge që konsiderohet pranë influencës së kreut aktual të NATO-s.
Kjo ka sjellë, siç duket, nervozizëm te së paku dy aktorë të mëdhenj: amerikanët, të cilët kërkojnë më në fund një pjesë të madhe ekonomike në Tiranë përmes lobimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Ata kanë përkrahur një kompani me flamur holandez, por që në prapaskenë lidhet me figura të rëndësishme të kapitalizmit amerikan.
Por përveç amerikanëve, duket se të pakënaqur kanë mbetur edhe gjermanët, të cilët nuk kanë marrë pothuajse asnjë kontratë të rëndësishme në projektet e mëdha infrastrukturore në Shqipëri. Edhe pse kanë lobuar për aeroporte, porte apo rrugë strategjike, Berlini nuk e ka pritur mirë këtë “thatësirë” kontratash.
Madje mësohet se ata kanë theksuar se qeveria e Ramës duhet të ishte mirënjohëse për investimet në rrjetet e interkonjeksionit, si dhe në ujësjellësa e kanalizime në disa qytete, të financuara nga qeveria gjermane.
Hyrja e BKH-së në kontratën e portit duket se nuk është gjë tjetër veçse një këmbanë alarmi e tringëlluar nga fuqitë e mëdha.
Ndaj Edi Rama, më shumë sesa me SPAK-un, e kishte mesazhin për amerikanët dhe gjermanët kur deklaroi se është gati edhe për planin C, që në fakt është pjesa më e frikshme e këtij trilleri politik dhe ekonomik.
Sipas diskutimeve në mjediset diplomatike në Tiranë, konsorciumi greko-italo-belg mund të jetë thjesht një perde tymi për të fshehur ardhjen në Durrës të kapitalit saudit të lidhur me princin Mohammed bin Salman, së bashku me investitorë nga Emiratet.
Një dosje që, sipas gjasave, lidhet edhe me projektet në Sazan, ku në prapaskenë përmenden edhe interesa të lidhura me familjen Trump.
Megjithatë, konfigurimi aktual i projektit ka hapur telashe të mëdha për Edi Ramën, pasi ndërtimi i portit të madh, sipas disa kancelarive perëndimore, mund të rrisë ndjeshëm fuqinë ekonomike dhe influencën politike të kryeministrit.
Çka, sipas kritikëve, mund ta shtyjë vendin drejt një forme të gjatë pushteti të centralizuar dhe të kontestuar për korrupsion, ku hapësirat për zhvillimin e një shoqërie demokratike mund të dobësohen gjithnjë e më shumë./Pamfleti
Lini një Përgjigje