Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka komentuar raportin e fundit të SPAK për korrupsionin në Shqipëri, duke deklaruar se fenomeni po dëmton rëndë ekonominë dhe besimin e qytetarëve te institucionet.
Tabaku theksoi se korrupsioni është një nga arsyet kryesore të largimit të shqiptarëve nga vendi dhe një pengesë serioze për integrimin europian.
Sipas saj, prokurimet publike janë shpesh të paracaktuara, me tendera pa garë dhe me kosto të fryra, gjë që deformon konkurrencën dhe dëmton bizneset e ndershme.
Në përfundim, deputetja demokrate theksoi se vendi ka nevojë për një ndryshim të thellë të sistemit aktual, duke e cilësuar korrupsionin si një plagë që ka kapur ekonominë dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Tabaku: Korrupsioni po vret ekonominë shqiptare, po vret besimin e qytetarëve në institucione dhe po vret të ardhmen e tyre. Është arsyeja kryesore pse shqiptarët largohen dhe pse Shqipëria pengohet në procesin e integrimit europian.
Prokurimet publike janë të gjitha të paracaktuara. Është një sistem që jo vetëm shërben për pastrim parash, por jep tendera pa garë, me vlera të shumëfishuara dhe në mënyrë të paracaktuar.
Sot ekonomia shqiptare ka vetëm biznese që jetojnë për të marrë tendera. Po ku është ekonomia e tregut? Ku është konkurrenca? Ku është gara?
Duhet të ndryshojmë këtë sistem korruptiv që ka kapur ekonominë, të ardhmen e vendit dhe shqiptarët.
Lini një Përgjigje